
Bashkimi Evropian rihap ambasadën në Kiev BE-ja ka rihapur ambasadën e saj në kryeqytetin ukrainas, Kiev, pasi e ka zhvendosur përkohësisht në Poloni pas agresionit rus në Ukrainë. Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell njoftoi planet gjatë një vizite në Ukrainë të premten.
Pasi foli me kryeministrin ukrainas Denys Shmyhal, zoti Borrell tha se ata ranë dakord të përshpejtonin përgatitjet për Këshillin e ardhshëm të Asociimit BE-Ukrainë, që do të zhvillohet në të ardhmen e afërt.
Matti Maasikas, kreu i delegacionit të BE-së në Ukrainë, postoi një foto më parë të flamurit të BE-së jashtë delegacionit në Kiev, duke sinjalizuar kthimin e misionit diplomatik.
Italia gjithashtu synon të rihapë ambasadën e saj në Kiev menjëherë pas Pashkëve, tha të shtunën Ministri i Jashtëm i saj Luigi Di Maio, njoftoi agjencia italiane e lajmeve Ansa.
Më herët Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka ofruar një përditësim të inteligjencës mbi situatën në Ukrainë, duke përfshirë dëshmi se Rusia ka vënë në shënjestër civilët. Të shtunën në mbrëmje, ministria tha se tërheqja e Rusisë nga veriu zbuloi varreza masive dhe përdorimin e mburojave njerëzore.
Ata gjetën gjithashtu prova se Rusia kishte përdorur mjete shpërthyese të improvizuara (IED) për të "shkaktuar viktima, dhe për të kufizuar lirinë e lëvizjes së Ukrainës". Përditësimi gjithashtu tha se forcat ruse vazhduan të sulmojnë objektivat e infrastrukturës me një "rrezik të lartë" për të dëmtuar civilët, duke përfshirë një sulm me acid nitrat në Rubizhne.
First things first. pic.twitter.com/DwVtX8FE06
— Matti Maasikas (@MattiMaasikas) April 9, 2022



