
Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, është vetëdorëzuar pasditen e kësaj të hëne në Komisariatin e Policisë së Kavajës, në zbatim të vendimit të Apelit të GJKKO, i cili la në fuqi dënimin e dhënë në shkallë të parë.
Apeli i Gjykatës së Posaçme konfirmoi vendimin e 24 janarit 2025, duke dënuar Memollën me 1 vit burg për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim. Në fuqi u la gjithashtu edhe masa plotësuese e ndalimit për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Memolla nuk ishte i pranishëm në seancën gjyqësore të Apelit, ku u përfaqësua vetëm nga avokati i tij.
Hetimet e SPAK zbuluan se gjatë fushatës për zgjedhjet e pjesshme vendore të marsit 2022, kur Memolla ishte kandidat, ai ka zhvilluar biseda me elektricistin e OSHEE-së, Blerim Xhamani. Sipas SPAK, Memolla i kërkoi Xhamanit të mos ndërpriste energjinë elektrike të një abonenti debitor, me qëllim që ky i fundit të votonte në favor të tij.



