Në ditën e 16-të grevës së urisë, naftëtarët e kompanisë “Bankers Petroleum” vijuan sot protestën përpara zyrave në Fier. Kryetari i Sindikatës së Naftëtarëve, Dritan Shahu, duke folur në edicionin e lajmeve në Mcn Tv hodhi akuza ndaj drejtuesve të institucioneve shtetërore, ku sipas tij, mosreagimi vjen për shkak të lidhjeve nepotike që kanë me “Bankers”. Ai paralajmëroi se nëse nuk do reagohet do flasë me emra, ndërsa protestat dhe tubimet do vazhdojnë.
“Kemi qenë para zyrave të kompanisë në Fier, ku kemi denoncuar papërgjegjshmërinë e kompanisë dhe të shtetit. Duke parë heshtjen e kompanisë, dhe reagimin me shumë vonesë të shtetit jemi të detyruar të themi që këtu ka lidhje sepse nuk gjejmë arsye tjetër pse nuk reagohet. Kemi informacione për lidhje nepotike të kompanisë me institucionet. Emrat konkretë i dinë vetë ata. Nëse s’do reagojnë do ketë edhe emra konkretë. Sot ka pasur një kontakt nga Ministria e Ekonomisë ku na është lënë një takim me ministren. Takimi do zhvillohet nesër. Gjendja e grevistëve është shumë e rënduar. Tre janë trajtuar në spital. Anëtarët e tjerë kanë marrë injeksione pasi kanë probleme shëndetësore, të gjithë janë nën tension, nën ankth, nën trysni. Punonjësit këtu kanë diferenca të ndjeshme page. Ata që ngrenë zërin i heqin edhe nga puna. Një punonjësi i kanë hapur proces gjyqësor. Ne do denoncojmë çdo lloj problemi, apo abuzime të ndryshme, në lidhje me vendburimet. Protestat dhe tubimet do vazhdojnë”.



