Kume: Këshilli Kombëtar kishte risi me emrat. Elezi: Risi është ndryshimi i ideve. Grimci: Me Kuvendin e ri Kombëtar, PD ka bërë ripërtëritje

Kume: Këshilli Kombëtar kishte risi me emrat. Elezi: Risi është ndryshimi i ideve. Grimci: Me Kuvendin e ri Kombëtar, PD ka bërë ripërtëritje

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike miratoi ndryshime statutore dhe zgjodhi përbërjen e re të Këshillit Kombëtar, duke sjellë emra të rinj në strukturat drejtuese të partisë. 

 

Procesi është shoqëruar me debate mbi risitë që sjell përbërja e re, por edhe mbi mënyrën se si po drejtohet forca më e madhe opozitare.

 

Në MCN Informacion, gazetari Mariglen Kume vlerësoi praninë e figurave të reja në Këshillin Kombëtar, duke theksuar se mes anëtarëve të zgjedhur ka individë me arritje profesionale dhe intelektuale.

 

Nëse bën një analizë, kishte disa emra të rinjsh aktivë në jetën publike dhe që vijnë nga pjesa intelektuale, me arritje në karrierën e tyre. Pashë edhe disa largime të personave që nuk kanë pasur aktivitet politik. Shpresoj që kjo të sjellë një Këshill Kombëtar më aktiv.

 

Sipas tij, ndryshimet në statut i kanë dhënë më shumë peshë të rinjve, ndërsa në listën e re ka pasur figura që kanë spikatur në profesionet e tyre, edhe pse jo domosdoshmërisht në politikë.

 

Kume veçoi edhe përfshirjen e emrave si Arkimed Lushaj (Stresi), vajza e ish-presidentit Bujar Nishani dhe djali i Sokol Olldashit. Për disa prej tyre, ai mendon se bëhet më shumë fjalë për një shenjë respekti ndaj figurave historike të PD-së.

 

Surprizë ishte Arkimed Lushaj, por nuk besoj se mund të prishë punë. Përkundrazi, mund ta bëjë partinë më atraktive për një target-grup që e ndjek.

 

Megjithatë, gazetari ngriti dyshime mbi funksionimin real të strukturave drejtuese, duke argumentuar se vendimmarrja mbetet e centralizuar.

 

Nuk janë risi vetëm emrat dhe numrat. Për aq kohë sa Berisha e ka centralizuar drejtimin te vetja dhe nuk shpërndan përgjegjësi, është e vështirë t’u kërkosh llogari strukturave të tjera.

 

Nga ana tjetër, ish-kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Ibsen Elezi, u shpreh kritik ndaj zhvillimeve në Kuvendin Kombëtar, duke argumentuar se ndryshimi i figurave nuk përbën risi politike nëse nuk shoqërohet me ide dhe strategji të reja.

 

Patjetër që ndryshimi i figurave mund të quhet risi, por risi është debati për problematikat dhe idetë. Kur kjo nuk ndodh, atëherë nuk ka risi.

 

Ai vlerësoi se problemi kryesor i Partisë Demokratike lidhet me mungesën e një strategjie të qartë politike për të dalë nga situata aktuale.

 

Për mua nuk ka asnjë personazh në atë Kuvend që del dhe artikulon qartë cilat janë problemet, cilat janë strategjitë dhe prioritetet politike ku duhet të fokusohet PD-ja.

 

Elezi kritikoi gjithashtu mënyrën se si janë trajtuar debatet e brendshme dhe përjashtimet në parti, duke kërkuar respektimin e rregullave statutore dhe procedurave institucionale.

 

Nuk mund ta përjashtosh dikë vetëm mbi bazën e një fotografie apo akuze politike. Akuzat duhet të trajtohen institucionalisht dhe sipas rregullave.

 

Sipas Elezit, Partia Demokratike nuk ka nevojë thjesht për ripërtëritje figurash, por për rikthim te debati politik dhe zbatimi i rregullave të brendshme.

 

Berisha në PD ka një strategji difensive. Problemi nuk është ripërtëritja, por mungesa e ideve, debatit dhe respektimit të statutit.

 

Ndërsa Eda Grimci, ka hedhur poshtë pretendimet se figura të caktuara janë lënë jashtë strukturave drejtuese të partisë pas Kuvendit Kombëtar, duke theksuar se emrat që mungojnë në përbërjen e re kanë vendosur vetë të tërhiqen nga gara.

 

Sipas Grimcit, asnjë prej figurave të njohura nuk është përjashtuar nga procesi, ndërsa disa prej tyre kanë paraqitur dorëheqjen ose kanë njoftuar se nuk dëshirojnë të kandidojnë më për organet drejtuese.

 

Ata që nuk janë në listë nuk janë lënë jashtë. Ka prej tyre që kanë dhënë dorëheqjen dhe të tjerë kanë njoftuar se nuk duan të garojnë më. Nuk bëhet fjalë për përjashtim apo largim nga strukturat. Nga emrat e rinj që kanë dalë kemi të bëjmë me një garë ku vota përcakton fituesin. Kontributi është i rëndësishëm, por nuk mund të ecet vetëm me të. Duke pasur parasysh emrat e rinj që janë futur aty, patjetër që kemi të bëjmë me ripërtëritje.

 

Grimci theksoi se Partia Demokratike është përballur vazhdimisht me kritika, si kur promovon figura të reja ashtu edhe kur mbështetet te emrat me eksperiencë politike.

 

Kur kemi emra të rinj akuzohemi se po lëmë jashtë të vjetrit, ndërsa kur kemi të vjetrit akuzohemi se po e mbajmë partinë të mbyllur. Me Kuvendin e ri Kombëtar, PD ka bërë ripërtëritje.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy