Protesta qytetare kundër qeverisë së Edi Ramës vijon prej 114 ditësh, ndërsa protestuesit pritet të mblidhen sërish përpara Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.
Për situatën e krijuar pas më shumë se tre muajsh protestë, në ‘MCN Live’ diskutuan Arlind Qori, Alba Kepi dhe avokati Naim Hasani, duke sjellë këndvështrime mbi shtrirjen e protestës, rolin e opozitës dhe diasporës, si dhe kërkesat e qytetarëve.
Kreu i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, e cilësoi protestën si një lëvizje të madhe dhe paqësore, duke argumentuar se ajo ka tejkaluar kufijtë e një force të vetme politike. Sipas tij, kërkesat kryesore të protestuesve lidhen me largimin e qeverisë Rama dhe përgjegjësinë politike të klasës së vjetër politike.
Protesta në Shqipëri është e madhe, por edhe paqësore. Në Shqipëri ka një qeveri, por ka disa opozita dhe jo një të vetme. Është një protestë ku kanë marrë pjesë përfaqësues të ndryshëm politikë, ndërsa partitë e reja, kush më shumë e kush më pak, kanë qenë fryma dhe zemra e kësaj proteste kundër qeverisë Rama. Ajo nisi në Zvërnec, pasi u duk sikur me atë ngjarje u derdh gota, por qytetarët e mbledhur në protestë që në ditët e para kanë kërkuar dy gjëra: dorëheqjen e pakusht të qeverisë së Edi Ramës dhe thirrjen ‘Rama në burg, Berisha në burg’.
Jemi duke përjetuar një revolucion ndryshe nga ata të shekujve të kaluar, sepse këto janë revolucione paqësore dhe një qëndrim moral ndaj atyre që kanë pushtetin. Mendoj se sistemit të vjetër partiak i ka ardhur fundi dhe nuk është për t’u habitur që, kur protesta në fillimet e veta kishte kulmin, Berisha doli dhe e sulmoi, ndërsa kur pa përmasat që mori, doli në krah të saj. Thirrja ‘Rama në burg, Berisha në burg’ tregon se çfarë mendojnë qytetarët për ata që kanë qeverisur dhe se koha e tyre ka mbaruar.
Ka shumë njerëz, sidomos të rinj, që nuk kanë dalë ndonjëherë në rrugët e Shqipërisë dhe unë kam pyetur disa persona më të moshuar se unë për përmasat e protestave. Më kanë thënë se protestat e tanishme janë shumë herë më të mëdha se ato të vitit 1991. Kjo tregon jo vetëm përmasat e kësaj proteste, por edhe historicitetin e saj.
Edi Rama nuk është ndjerë kurrë më i kërcënuar sesa në këto ditë, sepse pushteti tronditet atëherë kur qytetarët fillojnë të nuhasin se nga shkon forca dhe shumica. Ky është një sinjal se një pjesë shumë e madhe e qytetarëve janë kundër Edi Ramës. Ai ka qëndruar në pushtet kaq gjatë sepse u ka siguruar oligarkëve se mund të veprojnë në qetësi, por kur ke kaq shumë njerëz përballë, Rama sot nuk e ofron dot më këtë garanci dhe tani ata do të fillojnë të shohin nëse ka ndonjë rrugëdalje për ta. Në këtë mënyrë, pushteti i Ramës do të nisë të bjerë.
Anëtarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Alba Kepi, u ndal te roli i diasporës dhe jehona ndërkombëtare e protestave. Ajo tha se lëvizja është vazhdim i protestave të nisura më herët nga shqiptarët në Itali dhe kërkoi që pas 114 ditësh të ketë një strukturim më të qartë të mesazhit të protestës.
Duke sjellë edhe një dëshmi, kjo protestë është vijim i një serie protestash të nisura që në vitin 2022 nga shqiptarët në Itali, lidhur me mënyrën se si interesat kombëtare po keqtrajtoheshin nga qeverisja e Edi Ramës dhe nga shteti i viteve të fundit. Ajo që ka prodhuar kjo protestë është një jehonë e jashtëzakonshme, jo vetëm në mediat që janë të ndjeshme ndaj çështjeve të Ballkanit, por edhe në shumë media të tjera ndërkombëtare.
Kjo është e rëndësishme dhe pas 114 ditësh mendoj se është koha që protesta të dalë me një strukturë më të qartë. Unë jam pjesë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës dhe ne kemi kërkuar të kemi një linjë komunikimi me këtë protestë, por nuk kemi mundur ta krijojmë atë. Megjithatë, mesazhi i protestës duhet të jetë më i fokusuar, sepse protestuesit e rinj dhe njerëzit që janë të ndjeshëm ndaj këtyre temave duhet ta kenë të qartë se çfarë kërkohet dhe cili është qëllimi.
Nëse e shohim nga kjo studio, ku kemi një të ftuar nga diaspora në Londër, një nga Italia dhe një kryetar partie, unë nuk e shoh si një studio të balancuar. Edi Rama e ka kthyer këtë vend në atë që protestuesit nuk duan që ai të jetë. Përballë kërkesave që vijojnë të parashtrohen, të vazhdohet të flitet vetëm për opozitën më duket një qasje joserioze ndaj qytetarëve dhe ndaj shikuesve.
Nga Londra, avokati Naim Hasani tha se mbështetja e diasporës për protestën ka nisur që në momentet e para të saj. Sipas tij, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit e shohin protestën si një qëndrim kundër klasës politike të konsoliduar gjatë dekadave të fundit.
Në Londër kanë qenë ndër të parët që mbështetën protestën e qytetarëve shqiptarë në Tiranë. Fillimi ishte i madh dhe euforik, shqiptarët dolën vetë në protestë për projektin e Zvërnecit, i cili ishte vetëm një arsye që ata të protestonin, për të vijuar më pas me qindra probleme të tjera që ata kishin ngritur. Një pjesë e madhe e shqiptarëve janë detyruar t’i bashkohen kësaj proteste për shkak të qeverisjes së dështuar.
Këto janë protesta kundër klasës politike 35-vjeçare, kundër dy partive kryesore në Shqipëri, dhe qytetarët kanë një slogan për një Shqipëri demokratike dhe një vend që drejtohet nga njerëz që dinë të largohen nga pushteti. Thirrja më kryesore dhe domethënëse ndaj kësaj klase politike ka qenë ‘Rama në burg, Berisha në burg’. Prandaj pamë mijëra qytetarë shqiptarë që erdhën nga Evropa dhe u bashkuan për t’u thënë jo një politike që, sipas tyre, ka dëmtuar vendin dhe ka harruar hallet e qytetarëve shqiptarë.
Prandaj ata janë bashkuar kundër kësaj qeverisjeje. Edhe Berisha është mirë të qëndrojë larg kësaj proteste dhe të mos kërkojë të marrë protagonizmin. Qytetarët shqiptarë në Londër, Itali dhe kudo tjetër e mbështesin pa rezerva protestën e qytetarëve shqiptarë, të cilët pavarësisht presionit majtas apo djathtas janë aty në shesh, diku më pak e diku më shumë, por duke e mbajtur gjallë frymën e protestës.



