
Dritan Çaka, anëtar i Komisionit Rregullator në KQZ tha përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë me studion e MCN Live se në zgjedhjet e ditës së djeshme ka pasur problematika shumë të vogla që nuk e cenojnë procesin dhe rezultatin.
Po ashtu Çaka tha se pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet e djeshme është më e ulëta në 30 vjet.
Na rezulton që nuk është se ka pasur parregullsi në këtë proces. Gjëra të vogla ka dhe do të ketë në çdo proces, përderisa menaxhohen nga njerëz që janë në të gjithë vendin. Ka gabime dhe problematika të vogla që nuk e cenojnë procesin dhe rezultatin.
Nuk mund të diskutojmë për çështje të rezultatit apo problematikat që mund të pretendojnë partitë apo kandidatët për procedurat. Do të jenë pjesë e një momenti të dytë nëse do të ketë ankesa pranë KAS.
Problematikat kanë qenë të vogla dhe në vlerësimin tim nuk kanë cenuar procesin dhe mbarëvajtjen. Ka shkuar normalisht.
Zgjedhjet janë të vlefshme. Ne në Shqipëri nuk kemi një prag që duhet të kalohet. Me çdo lloj numri votuesish që merr pjesë, zgjedhjet janë të vlefshme.
Rezultati i votuesve në zgjedhjet e djeshme në këto 5 bashki ka qenë më i ulëti në 30 e ca vite. Nuk mund të them cilat mund të kenë qenë shkaqet. Nuk mund të bëhet krahasim me zgjedhjet e 11 majit, apo me ato të 2023.
Në 3 zgjedhjet e fundit, numri ka ardhur gjithmonë në ulje. Ka informacione të cilat thonë se më shumë se 50% e popullsisë së Vlorës pavarësisht se janë të regjistruar nuk jetojnë aty. Një pjesë është në emigracion e të tjerë kanë ardhur në Tiranë.



