
Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës (ISS) mund të pësojë dëmtime "të pariparueshme" për shkak të pajisjeve të vjetruara, ka paralajmëruar një zyrtar rus.
Të paktën 80 % e sistemeve të fluturimit në segmentin rus të ISS u ka kaluar data e skadimit, tha Vladimir Solovyov për mediat shtetërore.
Ai tha gjithashtu se janë zbuluar çarje të vogla që mund të përkeqësohen me kalimin e kohës.
Rusia shpesh ka ngritur shqetësime për pajisjet dhe ka sugjeruar se mund të largohet nga ISS pas vitit 2025.
Stacioni u ndërtua në 1998 si pjesë e një projekti të përbashkët midis Rusisë, Amerikës, Kanadasë, Japonisë dhe disa vendeve evropiane dhe ishte projektuar fillimisht për një jetëgjatësi 15-vjeçare.
Solovyov, inxhinieri kryesor në kompaninë hapësinore “Energia”, e cila është zhvilluesi kryesor i sektorit rus të ISS, tha: "Fjalë për fjalë një ditë pasi sistemet [në fluturim] janë shterur plotësisht, mund të fillojnë dështimet e pariparueshme."
Ai paralajmëroi vitin e kaluar se shumë nga pajisjet në stacion po fillonin të plakeshin dhe së shpejti do të duhet të zëvendësohen.
Ish-kozmonauti gjithashtu njoftoi se çarje "sipërfaqësore" ishin zbuluar në modulin e ngarkesave. Që prej 1998 ajo është një nga modulet më të vjetër të ISS dhe tani përdoret kryesisht për ruajtje.
"Kjo gjë është e keqe dhe sugjeron që çarjet do të fillojnë të përhapen me kalimin e kohës," i tha Solovyov agjencisë së lajmeve RIA.
Në prill, zëvendëskryeministri i Rusisë Yuri Borisov tha për televizionin shtetëror se plakja e metaleve në stacion mund të "çojë në pasoja të pakthyeshme dhe në katastrofë. Ne nuk duhet ta lejojmë këtë të ndodhë".
Dhe Roscosmos, agjencia hapësinore ruse, tha vitin e kaluar se lodhja strukturore nënkuptonte që ISS nuk do të ishte në gjendje të funksiononte përtej vitit 2030.



