
Koalicioni i ri qeveritar me prirje majtiste i Finlandës është zotuar se do ta ndërpresë lirimin e karbonit në këtë vend deri në vitin 2035 si pjesë e programit politik që përfshin rritje të konsiderueshme të shpenzimeve publike për mirëqenie dhe infrastrukturë.
Lideri i social-demokratëve, Antti Rinne, i cili e formoi koalicionin me pesë parti pas fitores së ngushtë kundër nacionalistëve në zgjedhjet e prillit, tha se është koha që të investohet në të ardhmen pas disa vitesh të kursimeve.
Aktivistët për mbrojtje të klimës e kanë mirëpritur zotimin e qeverisë së re. “Njerëzit kanë kërkuar veprime më të shpejta për klimën dhe këtë edhe do ta kemi”, tha Sini Harkki, menaxhere e programit finlandez për klimën.
“Ndërtimi i shoqërisë së parë në botë pa fosile do të kërkojë shumë më shumë sesa fjalë të bukura në letër, por ne jemi të vendosur që kjo të bëhet realitet. Është një rrugë tërheqëse që duam ta fillojmë”, shtoi ajo.
Programi qeveritar për klimën u krijua pas zgjedhjeve ku temë dhe shqetësim kryesor i votuesve ishte ndryshimi i klimës. Sipas një ankete të mëhershme, 80 për qind e finlandezëve kërkuan më shumë veprime nga qeveria sa i përket mbrojtjes së klimës, shkruan “The Guardian”.



