Pak ditë më parë një grup deputetësh i dërguan një letër kreut të shtetit, Ilir Meta në lidhje me publikimin e të dhënave të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, mbajtur me 11 nëntorin e shkuar nga ish presidenti Bujar Nishani.
Por sot kreu i shtetit nuk e ka pranuar këtë kërkesë, pasi sipas tij mbledhjet e Këshillit të Sigurimit bëhen me dyer të mbyllura, në të kundërt dot humbiste besimi te anëtarët e tij.
Në mbledhjen është diskutuar pikërisht situata rreth drogës dhe kanabisit në vend.
LETRA E PRESIDENTIT
Përgjigje kërkesës së grupit të deputetëve të Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Të nderuar deputetë,
paraprakisht dëshiroj t’ju shpreh konsideratat e mia për shqetësimin që ndani nëpërmjet kërkesës suaj, si dhe me këtë rast t’ju inkurajoj për angazhimet tuaja në luftën kundër krimit të organizuar dhe çdo fenomeni që mundet të cënojë sigurinë kombëtare!
Nëpërmjet kësaj përgjigje, ju bëj me dije se nuk e kam aprovuar kërkesën tuaj pasi nuk e kam gjetur në përputhje me paketën ligjore: “Për informacionin e klasifikuar ‘sekret shtetëror’, dhe konkretisht me nenet: 7’13 dhe 16 të ligjit Nr.8457, datë 11.02.1999, i ndryshuar. Po ashtu, e kam çmuar në kundërshtime edhe me nenin 24 të po këtij ligji, pasi siç e dini në mbledhjet e KSK-së, diskutohen çështje dhe informacioneve të bashkëpunimit me vendet partnere dhe institucioneve ndërkombëtare, ndaj të cilëve e kemi detyrim të sigurojmë të njëjtat standarde ruajtjeje me ato që zbatohen nga shteti apo institucionet ndërkombëtare.
Në shtesë, nuk e gjej në pajtim me kërkesat dhe frymën e pikës 8, neni 10 të Ligjit 64/2014: “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit të FA-ve”, ku përcaktohet se: “Mbledhjet e KSK-së, zhvillohen të mbyllura”, pasi definicionin “të mbyllura”, përveçse një detyrim ligjor, e çmoj si një qasje për të krijuar një atmosferë besimi ndërmjet anëtarëve të KSK-së.
Thënë këto, gjykoj se është në interesin dhe detyrimin e Institucionit të Presidentit të Republikës që t’u ofrojë anëtarëve të KSK-së sa më shumë “Garanci besimi” për ta: “këshilluar dhe mbështetut Atë në ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore”.
KERKESA E DEPUTETEVE
Deputetët e opozitës në komisionin parlamentar të sigurisë, iu drejtuan me një kërkesë Metës që të publikojë të dhënat e raportuara nga institucionet për luftën ndaj drogës me qëllim që të ballafaqohen rezultatet e dhëna.
Deputetët e Partisë Demokratike dhe LSI argumentuan se tani, ka një ndjeshmëri për situatën e rëndë të trafikut të drogës dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë të përfshirë në të, e mbi të gjitha, siç thuhet edhe në letrën drejtuar Metës, skandalit të publikuar në media për dosjen “Habilaj”. Letra e drejtuar Ilir Metës u firmos nga deputetët Flamur Noka, Isuf Çelaj, Xhemal Gjunkshi, Myslym Murrizi, Ervin Salianji, Luan Rama dhe Endrit Brahimllari.





