Pedagogu i Shkencave të Komunikimit Ermal Hasimja tha në “Mcn Informacion” se sot në Shqipëri ka mjete të shumta informacioni, por pak gazetari reale dhe të pavarur dhe investigative.
Ai vë në dukje se gazetari që thjesht shkon në konferenca shtypi bën thjesht rolin e Marrëdhënieve me Publikun.
“Në 96-tën kam qenë student akoma. Dikush që do të bëhet gazetar i mirë s’ka nevojë të studiojë gazetari. Gazetar i mirë s’është ai që ka letrën e diplomës, por ai që ka intuitën e investigimit dhe pasionin, kuriozitetin për të gërmuar. Në të kundërt të kësaj është gazetari që shkon në konferencë shtypi, dhe kjo s’është gazetari, është PR. Po të hapni lajmet e TV, në 90-95 për qind në rastin më të mirë janë paraqitje të burimeve politike, dhe nga një burim i vetëm. Fatkeqësisht në Shqipëri kemi pa fund mjete informacioni, trajnime, vetëm gazetari reale, investigative, të pavarur, s’e kemi”.
Hasimja vuri në dukje se media në Shqipëri s'është biznes, por në shumicën e rasteve është instrument për të kërkuar favore nga qeveria.
“Sot është më e kollajshme të marrësh dhe qarkullojë informacion. Ndoshta në atë kohë ka pasur më shumë pluralizëm, ndikimi ka qenë brutal. Ka diçka që është problem i madh, sot në shumicën e emisioneve ku ke të ftuar, e vetmja pjesë që ka lidhje me konceptin e gazetarisë, është pjesa që diskutohet në kafe, apo mes reklamave. Ka autocensurë. Kur ti s’kritikon dot një kompani sepse ke marrë reklamë, ose kur i vë gjoba....Janë të dyja anët. S’ka asgjë të keqe që media të jetë biznes, por nuk është biznes në Shqipëri. Në shumicën e rasteve media është instrument për të kërkuar favore nga qeveria”.



