Udhëheqësi de fakto i Sirisë Ahmed al-Sharah dhe kryeministri libanez Nexhib Mikati riafirmuan nga Damasku se të dyja vendet janë të përkushtuara për ndërtimin e lidhjeve me rëndësi strategjike, pas dekadash marrëdhëniesh "të vështira".
Sharah bëri thirrje për "tejkalimin" e problemeve të vjetra dhe krijimin e një mundësie të re për të ndërtuar "marrëdhënie pozitive të bazuara në respektin dhe sovranitetin kombëtar të dy shteteve.
"Ne do të përpiqemi t'i zgjidhim të gjitha problemet përmes dialogut" siguroi ai.

Kryeministri libanez theksoi nga ana e tij se kthimi i refugjatëve sirianë është ccështje urgjente dhe se ka ardhur koha që të dyja vendet të shohin nga e ardhmja.
‘Marrëdhëniet e reja midis Damaskut dhe Bejrutit duhet të bazohen në respektin reciprok, barazinë dhe sovranitetin kombëtar. Siria është porta e natyrshme e Libanit drejt botës arabe dhe për sa kohë ky vend do të ecë përpara edhe Libani do të jetë më mirë.
Prioritet mes dy vendeve mbetet përcaktimi i kufijve të tyre tokësorë dhe detarë dhe formimi i një komisioni të përbashkët për të shqyrtuar këtë çështje, duke mos lënë pas përpjekjet për të luftuar kontrabandën.
Siria, e cila ka një kufi 330 kilometra me Libanin, ka refuzuar shumë herë në të kaluarën të përcaktojë kufirin me shtetin fqinj, duke e bërë këtë zonë një fushë aktiviteti për kontrabandistët.
Siria ishte fuqia dominuese politike dhe ushtarake në Liban për tre dekada, që kur ndërhyri gjatë luftës civile të shtrirë gjatë periudhës 1975-1990. Shumë vrasje të politikanëve libanezë i atribuohen regjimit sirian.
Ushtria e saj u tërhoq në vitin 2005, për shkak të presionit lokal dhe ndërkombëtar pas vrasjes së ish-kryeministrit libanez Rafik Hariri.



