
Një vrasje e dyfishtë është zbuluar mëngjesin e sotëm në Shkodër. Një çift partnerësh u gjetën të vrarë brenda makinës së tyre, ku ndodhej edhe fëmija 1 vjeç, fatmirësisht i palënduar.
Trupat e pajetë të Boran Bërçamës, 30 vjeç, dhe bashkëjetueses së tij, Silvana Ndoci, u gjetën në makinën e tyre tip “Benz” me targë AA006HA.
Viktimat janë vrarë me armë zjarri. Policia po heton mbi ngjarjen. Ndërkohë paralelisht po hetohet edhe lidhur me një mjet të djegur që u gjet po sot në dalje të qytetit të Shkodrës dhe që dyshohet se ka lidhje me ngjarjen.
Polica ka dyshime se mjeti tip “Benz” mund të jetë përdorur nga autori i vrasjes së dyfishtë të ndodhur në lagjen “Naim Gjylbegu”.
Brenda mjetit të djegur është gjetur një armë, automatik i shkurtër me të cilin dyshohet se autori ka kryer krimin.
Boran Bërçama, rreth 30 vjeç, ka punuar në Komisariatin e Shkodrës si inspektor Krimesh, e më pas inspektor Rendi, por pas një mungese të pajustifikuar ai dha dorëheqjen në fund të vitit 2016.



