
Greqia i ka nisur një letër zyrtare Kombeve të Bashkuara, duke kundërshtuar në detaje "pretendimet e pabazuara" të Ankarasë në lidhje me ishujt e Egjeut, thanë të enjten burime diplomatike.
Letra, e cila i drejtohet Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres dhe do t'i dërgohet "brenda orëve të ardhshme", sipas mediave greke, vjen si përgjigje ndaj përshkallëzimit të ashpër të retorikës dhe veprimeve agresive nga Ankaraja pas vizitës së Mitsotakis në Uashington.
Të mërkurën, Turqia lëshoi një teleks lundrimi duke rezervuar zonën detare midis ishujve grekë të Kios, Lesvos dhe Limnos për studime sizmike, ndërsa të martën mbrëma, avionë luftarakë turq kryen një fluturim të paautorizuar mbi ishujt Oinousses dhe Panagia.
Një fluturim i ngjashëm u krye javën e kaluar mbi portin verilindor grek të Aleksandoupolit.
Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha të hënën se nuk ka ndërmend të takohet më me Mitsotakis, pas kritikave të këtij të fundit ndaj Turqisë në vizitën e tij në SHBA.
“Për mua, nuk ka Mitsotakis. Nuk do të takohem më kurrë me të”, tha presidenti turk pas një takimi të kabinetit të tij.



