
Socialistët kanë ngritur një grup pune që do të hartojë platformën për modernizimin organizativ të partisë dhe statutin e ri të saj. Vendimi është marrë sot gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së, ku kryeministri Rama bëri të ditura edhe ndryshimet në qeveri.
Grupi i punës do të drejtohet nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, dhe do të ketë 9 anëtarë, të cilët do të zhvillojnë konsultime me strukturat dhe forumet e partisë, në funksion të riorganizimit të saj.
Ndryshimet në mënyrën e organizimit të partisë vijnë pak muaj para zgjedhjeve lokale, të cilat mbahen në qershorin e ardhshëm.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e sotme të Asamblesë, kryeministri Rama la të hapur mundësinë e ndryshimeve të tjera në kabinetin qeveritar, në rast se performanca e ministrave në zgjedhjet e ardhshme nuk do të jetë në nivelin e kërkuar.
AXHENDA
1. Fjala e Kryetarit të Partisë, Edi Rama.
2. Miratimi i axhendës politiko-organizative të Partisë Socialiste janar-qershor 2019.
3. Miratimi i vendimit “Për riformatimin e strukturave organizative vendore të Partisë Socialiste me synim plotësimin e objektivave statutore për çdo OS”.
4. Miratimi i vendimit “Për krijimin e Regjistrit dixhital të Partisë Socialiste”.
5. Miratimi i vendimit “Për krijimin dhe funksionimin e shtabeve elektorale në të gjitha nivelet për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019”.
6. Miratimi i vendimit “Për thirrjen e Kongresit të PS në datë 30 mars 2019”.
7. Miratimi i vendimit “Për ngritjen e grupit të punës për statusin e ri të PS-së”.
8. Të ndryshme.



