
Banorët e Unazës së Re kanë vazhduar me protestën e tyre duke bllokuar të dyja asket e rrugës pranë mbikalimit në këtë zonë, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve. Të vetmet mjete që janë lejuar të kalojnë, ka qenë një ambulancë dhe makinat që ishin para saj.
Ndërkohë, udhëtareve të bllokuar në mjetet e tyre, banorët u bënë thirrje të fikin makinat dhe të bashkohen me protestën e tyre.
Protesta te “Unaza e Re” shënon ditën e 45, ndërsa banorët vazhdojnë të kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre siç e parashikon plani për ndërtimin e aksit nga sheshi “Shqiponja”, te mbikalimi pranë pallatit me shigjeta.
Nga megafoni i protestës u kërkua edhe rrëzimi i projektit. “Gjiknuri në burg; poshtë oligarkët”, thirrën protestuesit. Akuza u hodhën edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, kreut të ARRSH-së Afrim Qendro dhe kryebashkiakut të Tiranës Erjon Veliaj.
Deputetë të opozitës si dhe kryetari i PD-së Lulzim Basha kanë vazhduar mbështetjen e tyre për banorët.
Basha ka paralajmëruar këtë të martë se ditën e nesërme Partia Demokratike do të publikojë fakte të një tjetër skandali të qeverisë Rama, sesi kryeministri, kryetari i bashkisë e të tjerë përfaqësues të lartë të PS-së, po vjedhin paratë e shqiptarëve.
"Kjo është një vepër korruptive përmes një kompanie fantazëm. Për të çuar deri në fund projektin e tyre, kërkuan të shkatërrojnë 1000 shtëpi, vetëm për të çuar në fund projektin e porositësit, Edi Rama. Nesër PD do të publikojë një pjesë tjetër, po kaq të errët korruptive. Jo vetëm që Edi Rama ka dashur të vjedhë 40 milionë euro nga buxheti i shtetit, por së bashku me krimin e organizuar kërkon të ndërtojë pallate shumë katëshe. Nesër do të tregojmë se si Rama e Veliaj ndryshuan planin urbanistik për ti dhënë Edmond Begos leje për të ndërtuar mbi rrënojat e shtëpive tuaja. Një njeri i dënuar për trafik droge, do të ndërtonte pallate shumëkatëshe, për të pastruar paratë e drogës", ka deklaruar Basha.



