Pak ditë më parë, maxhoranca rrëzoi në Kuvend projektligjin për statusin e minatorit, ndërkohë sot ata kanë zhvilluar një protestë para Kryeministrisë.
Në studion e MCN Informacion, dy ish-minatorët Baftjar Dema dhe Qani Shino thanë se pasi kanë punuar një jetë në galeri nuk kanë përfituar një pension të denjë. Ata theksuan se minatorët shqiptarë janë më të keqpaguarit në Ballkan.
Qani Shino
Ne kishim një pavijon për sëmundjet profesionale, e zhdukën, nuk ekziston. Check up deri në moshën 70 vjeç, kam vajtur dhe nuk ma bënë. Më thanë të ka kaluar mosha.
Ne në vitin 2019, kemi qenë 13618 minatorë. Tani shkon 11 mijë ish-minatorë që kanë dalë në pension. Se tani nuk dalin në pension meqë është rritur pak rroga.
Na thonë që punojmë 12 orë. Nga këto u hedhin 6 orë siguracione. Dhe vetëm 15 ditë. Bëhet një evazion i madh. Nuk e di si futen.
U bëj thirrje minatorëve që të mos stepen. Të jemi sa më të bashkuar se një ditë do të fitojmë. Se ka djem nënash atje në gjykata që nuk janë zullumqarë si puna e këtyre.
Na erdhi rëndë për ata deputetë djem minatorësh që nuk votuan në Parlament.
Baftjar Dema
Minatori më i mirë në Shqipëri merr 50 mijë lekë. Minatorët e Ballkanit marrin 1200 euro. Ne i kërkojmë shtetit të marrim mundin dhe djersën tonë. Ato e i kalojnë 1 mijë euro, se 300 mijë lekë i kemi ilaçe. Ne jemi bërë problem për minatorët? Ndaj nesh është ushtruar gjenocid. Qeveria të na japë statusin se na takon. Jo për lëmoshë por atë që na takon.



