Një sipërfaqe prej 10 hektarësh me ullishte dhe pemë të tjera frutore u dogjën mbrëmjen e së enjtes në fshatin Lapardha të Beratit.
Për shkaqe ende të panjohura zjarri përfshiu zonën kodrinore, ndërkohë që i favorizuar nga era u përhap me shpejtësi.
Banorët thonë se u angazhuan të shuanin flakët me mjete rrethanore, pasi zjarrfikëset mbërritën me vonesë siç thanë ata për shkak të trafikut.
Zjarri masiv që përfshiu kodrat me ullishte në Lapardha të njësisë administrative Otllak, u shuan vetëm në orët e para të mëngjesit, duke shkrumbuar dhjetëra pemë.



