
Komisari i BE për Migrimin, Dimitris Avramopulos, paralajmëron se, nëse do të vijojë tendenca e azilkërkuesve nga disa vende, përfshirë Shqipërinë, BE do të rikthejë vizat.
Siç raporton DW, Avramopulos është shprehur se ka një tendencë në rritje të emigrimit nga shtete si Venezuela, Kolumbia ose Shqipëria. Konkretisht, nga kjo e fundit, kërkesat për azil nga Shqipëria në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është rritur me 30 përqind, pra 7 138 azilkërkues.
“Në qoftë se shtetet nuk e pengojnë keqpërdorimin e vizave dhe rritet edhe më tej numri i kërkesave të paargumentuara për azil, BE mund të pezullojë regjimin pa viza për shtete të veçanta”, tha ai.
Avramopulos u referohet shifrave të zyrës së BE-së për azilin, EASO, sipas së cilës, në katër muajt e parë të këtij viti, një në katër kërkesa për azil në BE është bërë nga shtetas të një vendi, qytetarët e të cilit mund të hyjnë pa viza në BE.
Në dallim nga numri i hyrjeve në mënyrë të ligjshme, numri i migrantëve të mbërritur në mënyrë të paligjshme edhe këtë vit vazhdon të ketë rënie. Numri i emigrantëve, në pesë muajt e parë të këtij viti krahasuar me vitin e kaluar, ra me 31 për qind, në rreth 32 400.



