British Petroleum do të shkurtojë rreth 15% të vendeve të punës për shkak të krizës së koronavirusit dhe si pjesë e planit të shefit ekzekutiv, Bernard Looney, për të kaluar nga nafta dhe gazi natyror në energjinë e rinovueshme.
Në këtë mënyrë, kompania me bazë në Londër shkurton 10 000 vende pune nga 70 100 që ka aktualisht.
"Tani do të fillojmë një proces, i cili do të largojë nga BP rreth 10 000 njerëz”, tha Looney në një deklaratë.
Vendet që do të shkurtohen do të jenë kryesisht pozicione të vjetra në administratë dhe jo staf operacional i linjës së parë. Shkurtimet pritet të ulin me 25% shpenzimet e vitit 2020 pasi pandemia e koronavirusit solli një rënie të paprecedent të kërkesës për naftë.
Reduktimet e vendeve të punës janë gjithashtu pjesë e përpjekjes së Looney për ta bërë kompaninë e naftës 111-vjeçare më fleksibël dhe ta çojë drejt energjisë së pastër.
Edhe Chevron Corp, prodhuesi i dytë më i madh i naftës amerikane, muajin e kaluar tha se do të shkurtojë midis 10% dhe 15% të forcës së tij globale të punës, si pjesë e një ristrukturimi të vazhdueshëm.
Royal Dutch Shell, ndërkohë, ka filluar një program të kalimit në pension në mënyrë vullnetare.



