Guvernatori Gent Sejko, për skandalin e mashtrimit me mikrokredi thotë se pas vendimmarrjes së prokurorisë u revokuam licencat sipas rregullave të Bankës së Shqipërisë, për dy kompanitë Micro Credit Albania dhe Final.
Duke raportuar ditën e sotme në Komisionin e Ekonomisë, Sejko bëri të ditur se për njërën kompani po bëhej pastrimi i portofolit, për kompaninë e dytë po bëhej ekzaminimi dhe në vijim do të merreshin masat si pezullim ose revokim.

Por ajo që ndodhi na detyroi të bëjmë revokimin e menjëhershëm të licencës, kjo na përball me disa elementë që janë procedura e likuidimit dhe administrimit të këtyre kompanive.
Kemi ngritur një grup pune të alokuar vetëm për këto kompani, kemi bllokuar këto kompani vetëm për të pranuar kthime dhe jo tërheqje, kemi çuar njoftim Kadastrës për të mos ekzekutuar vendime për pronat.
Është hera e parë që kemi një institucion në administrim. Po bëjmë definimet ligjore për procesin e administrimit dhe likuidimit të këtyre kompanive.
Do caktojmë një likuidator për secilën kompani dhe më pas do hartohet një plan masash, nën mbikëqyrjen e Bankës së Shqipërisë.
Klientit i është dhënë një adresë emaili dhe numër kontakti. Portofoli i klientëve është nën kontroll, mund të ankohen në Bankën e Shqipërisë.
Po verifikojmë gjithë data bazën për të parë numrin e klientëve. Ndjekja e klientëve nuk do të ketë qasje përfituese, por ndihmuese.
Ato raste që janë me vendime gjykata dhe kanë kaluar në përmbarim krijon problematika, por do i shohim me kujdes, por atje ku fillon gjykata mbaron kompetenca e Bankës së Shqipërisë.
Kemi pasur dhe kredi performuese dhe ato banka do i rikthejmë në sistemin bankar, rastet e tjera do i zgjidhim me likuidatorin, është një punë që zgjat, por ne duhet të ecim shpejt me miratimin e ligjeve.



