Me "duart" e pastra të kishës/ Si qarkullohen paratë e drogës në Amerikën Latine

Me "duart" e pastra të kishës/ Si qarkullohen paratë e drogës në Amerikën Latine

Në Guatemalë, politika dhe droga janë të lidhura ngushtë me atë që njerëzit në pjesën më të madhe të botës më pak e presin: fenë dhe kishën. Një investigim i 12 organizatave mediatike nga nëntë vende të ndryshme, ka nxjerrë në pah rolin e kishës në pastrimin e parave të drogës në Amerikën Latine.

Fenomeni është i përhapur, pasi organizatat fetare shpesh i shpëtojnë monitorimit të organeve kompetente për shkak të rolit të tyre të respektuar brenda komuniteteve dhe mungesës një kuadri rregullator që sanksionon punët e tyre, thonë ekspertët. Në disa vende, kjo përfshin edhe përjashtimin nga taksat.

"Me kalimin e viteve, institucionet fetare janë përdorur në mënyrë të përsëritur ... për të pastruar para", thotë Mark Califano, ish-ndihmës avokat amerikan dhe zyrtari kryesor ligjor në Nardello & Co, një firmë globale hetimi. "Dhe vendi i tyre i veçantë dhe i mbrojtur në shumicën e vendeve dhe shoqërive e ka mundësuar këtë".

Investigimi ndalet në rastin e Erik Súñigas (në foto), i cili vdiq në paraburgimin e SHBA në prill, duke lënë pas një trashëgimi të pasur fetare dhe politike në një qytet të Guatemalës, ku themeloi një kishë ungjillore dhe shërbeu si kryebashkiak për më shumë se një dekadë.

Gjithashtu, ai la pas një perandori sa i përket pasurisë, që me shumë gjasa është ngritur me para droge. Një pjesë e atyre parave duket se janë pastruar përmes rrjetit të tij fetar dhe politik.

Súñiga u dorëzua te agjentët amerikanë të Antidrogës në Guatemala në dhjetor 2019 dhe u ekstradua në Teksas. Departamenti i Zyrës së Thesarit të Kontrollit të Pasurive të Huaja e identifikoi atë dhe organizatën e tij si "trafikantë të rëndësishëm të huaj të narkotikëve" dhe vunë nën sekuestro pasuritë e tij në ShBA. Ai vdiq nga kanceri në pankreas para se të dilte në gjyq për akuzat e trafikut të drogës.

Zyrtarët amerikanë i hetuan financat e tij, por nuk ngritën akuzë për pastrim parash, pasi ata nuk gjetën prova të forta të transaksioneve të paligjshme që ndodhin brenda SHBA-ve. Gazetarët shqyrtuan procesverbalet e gjykatave dhe tokave për të zbuluar prova që tregojnë se Súñiga me shumë gjasa ka pastruar të paktën 1.4 milion dollarë amerikanë përmes një skeme në të cilën një pastor i tij i bleu pronat dhe pastaj i rishiti ato në bashkinë që Súñiga drejtonte.

Një marrëveshje komunale u miratua menjëherë pasi Súñiga mori detyrën dhe kjo i lejoi atij të jepte të paktën tre pjesë të tokës publike për njerëzit e lidhur me trafikantin e dënuar të drogës Juan Alberto Ortiz López, i njohur gjithashtu si Chamale. Ortiz kishte lidhje me kartelin e fuqishëm Sinaloas në Meksikë.

Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve për t’i hequr imunitetin dhe për ta çuar para drejtësisë për pastrim parash, akuzat ndaj tij nuk arritën kurrë as të ngriheshin.

Mashtrimi me biokarburantet

Rasti tjetër është ai i Jacob Kingston, një anëtar i një sekti Mormon me qendër në Utah, i përfshirë në një skemë mashtrimi me taksën e karburantit prej 1 miliard dollarë. Kingston drejtoi një kompani të quajtur Washakie Renewable Energy, e cila pretendonte se shiste karburant më të pastër për të pasur akses në kreditë e taksave.

Kingston dhe gruaja, nëna dhe vëllai i tij u shpallën fajtorë për krime në lidhje me mashtrimin e biokarburanteve, përfshirë pastrimin e parave. Ata bashkëpunuan me prokurorët e SHBA, të cilët ngritën akuza kundër bashkëpunëtorit të tyre Lev Dermen, një biznesmen në Kaliforni. Dermen u dënua në mars, dhe së bashku me Kingstons janë në pritje të dënimit për skemën që u vu në zbatim nga 2010 në 2016.

Përmes kësaj skeme, ata xhiruan më shumë se 3 miliardë dollarë përmes llogarive bankare. Karburanti u transportua rreth SHBA dhe ndërkombëtarisht, gjë që i dha rastit përmasa të tilla sa të vihej nën monitorim nga Departamenti i Drejtësisë.

Ata përdornin metoda të ndryshme për të fshehur paratë, duke përfshirë depozitimin disa llogari bankare turke, blerjen e automjeteve luksoze dhe blerjen e pasurive të patundshme. Një pjesë e parave u pastruan përmes Kishës së Ditës së Mëvonshme të Krishtit të Kingstons.

Prokurorët zbuluan se në kishë përfunduan vetëm 194 040 dollarë nga mbi 71.6 milionë dollarë pagesa nga Departamenti i Thesarit.

Investigime të tjera përfshijnë drejtuesin e kishës Luz de Mundo, Naasón Joaquín García. I arrestuar në Kaliforni për përdhunim, trafikim njerëzor, në Meksikë ai ishte nën hetim për pastrim parash. Njerëz besnikë të tij dhe kishës që ai drejtonte i kalonin paratë në Meksikë të fshehura në rrobat e trupit. Në Meksikë, kisha kishte 51 prona, ndërsa vetë Naason lidhet me 31 prona në SHBA, me vlerë 20 milionë.

Në Republikën Domenikane, Jorge Mercedes Cedeño u shpall fajtor për pjesëmarrje në një nga kartelet më të fuqishme të drogës. Sipas vendimit të gjykatës, ai i merrte paratë nga organizata në vendin e tij të origjinës të maskuara si dhurime nga famullistët.

Një rast i ngjashëm është investiguar në Argjentinë, ku një prokuror po heton Kishën Universale të Mbretërisë së Zotit, një lëvizje fetare që e ka origjinën në Brazil. Autoritetet zbuluan depozita të mëdha në llogaritë e kishave midis 2010 dhe 2014. / occrp.org / 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy