Partia Socialiste ka akuzuar sot Prokurorinë e Përgjithshme dhe kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se kanë dalë mbi ligjin duke mos i hequr mandatin kryebashkiakut demokrat të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, i dënuar me 2 vjet burg në Itali për vjedhje.
Sekretari i Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pak orë para nisjes së mbledhjes së KQZ-së ku do të shqyrtohet kërkesa e dy anëtarëve socialistë, thuhet se Kapllanaj është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe duhet të lërë detyrën.
“Mandati i Kapllanaj tashmë dukshëm rezulton të jetë në kushtet e pavlefshmërisë absolute, pasi është subjekt i ndërshkueshëm prej ligjit “për dekriminalizimin”. Si të mos mjaftonte “zemërmirësia” e paligjshme, sepse ligji nuk i ka dhënë tagër Prokurorisë të bëjë intepretimin apo të falë ndonjë subjekt dhe si të mos mjaftojë as standardi i dyfishtë i Prokurorisë, kësaj i shtohet edhe shpërdorimi i detyrës nga ana e Kryetarit të KQZ (përfaqësues i opozitës), i cili ndonëse e ka patur në zyrën e tij këtë informacion që në datën 16.10.2017, me urdhër të Lulzim Bashës vendosi të mos respektojë detyrimin ligjor për ta përcjellë atë në mbledhje publike të institucionit brenda 10 ditëve, sikundër e detyron neni 10 i ligjit nr.138/2015 “për dekriminalizimin””, tha ai.
Balla tha se PD, që gjoja përbetohet si “luftëtare” e dekriminalizimit të politikës, përmes këtij veprimi të njeriut të përzgjedhur prej saj në krye të KQZ, humbi një tjetër rast për të treguar se është e angazhuar seriozisht dhe pa dallime politike në këtë betejë.



