
Një vrasës i cili ishte në listën e 10 të arratisurve më të kërkuar nga FBI është kapur në Meksikë. Byroja e Hetimit bën me dije se ai ndodhej në arrati që prej vitit 2006.
Bëhet fjalë për 48-vjeçarin Octaviano Juarez-Corro, që akuzohet për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e tre të tjerëve në një piknik të Ditës së Përkujtimit 2006, zhvilluar në Parkun South Shore të Milwaukee në liqenin Michigan.
FBI bën me dije se në park ndodheshin qindra njerëz në momentin e ngjarjes dhe e plagosur mbeti edhe bashkëshortja e tij, që mori plagë në gjoks. Në shtator të vitit 2021 ai u përfshi në listën e 10 të arratisurve më të kërkuar nga FBI.
“Pas informacionit të marrë nga publiku, FBI dhe autoritetet meksikane gjetën Juarez-Corro të enjten në Zapopan, Guadalajara, Meksikë”, thuhet në njoftim.
Juarez-Corro ishte personi i 525-të i shtuar në listën e dhjetë të arratisurve më të kërkuar.
FBI kishte ofruar një shpërblim prej 100 mijë dollarësh për informacionin që çonte në arrestimin e tij.



