Eksperti i financave Artur Ribaj duke folur në “Mcn Economy” u shpreh kundër heqjes 100 për qind të parasë fizike, cash. Ai thekson se shteti mund ta arrijë këtë gjë me imponim, por ekonomisë i shërbejnë edhe transaksionet cash, dhe cenohen të drejtat e qytetarëve. Ai ngre pyetjen çfarë do të ndodhë nëse do të kemi rënie të sistemit si në shtete të tjera europiane, dhe si do të përgjigjet shteti.
“Në të gjithë rajonit vihet re rritje e tendencës së përdorimit të cash-it. Shifrat janë të qartë, që përdorimi i cash-it është dyfishuar duke patur një para të madhe në qarkullim. Mund të arrihet me detyrim, por ekonomisë s’i bën mirë nëse vjen e imponuar dhe me forcë, ndërsa duhet të përqafohet nga vet konsumatori. Nuk mund të mendosh që ka më shumë kulturë Kina dhe Turqia se sa gjermanët. Po të dojë shteti këtu do ta realizojë 100 për qind. Nuk besoj se gjermanët s’janë të mençur që e lënë në këtë formë. Sepse ekonomisë i shërbejnë edhe transaksionet në cash. I lë lirinë e të vepruarit individit. Shteti mund ta imponojë, por cenohen të drejtat. Jam plotësisht dakord që duhet redaktuar. Por është tjetër gjë të thuash që s’do ketë para fizike. Jam kundër imponimit për të shkuar 100 për qind në digjitale. Mos harrojmë thirrjen e fundit të Bankës Qendrore Europiane që çdo familje të mbajë një sasi cash. Nëse do kemi një blackout, si në Portugali dhe Spanjë, si do t’i përgjigjet shteti?! Nëse kemi një rënie të sistemit. S’duhet të imponohet diçka në ekstreme për ta shtuar drejt rreziqeve të tjera që mund të ballafaqohemi, nga padija dhe pamundësisë”.
Ribaj tha se Shqipëria ka bërë hapa gjigantë në e-commerce, për shkak të investimeve të subjekteve dhe trendit të konsumatorëve.



