Dita e sotme shënon përfundimin e afatit për lirimin e hapësirave përgjatë rrugëve kombëtare, sipas urdhrit të lëshuar nga institucionet shtetërore.
Korrespondentët e MCN TV nga Durrësi, Korça dhe Lushnja raportojnë mbi ecurinë e aksionit dhe sfidat e hasura në terren.
Korça – Elsa Xhindole:
Aksioni ka nisur brenda qytetit dhe në rrugët nacionale që lidhin Korçën me zonat përreth.Sipas bashkisë, njoftimi për lirimin e hapësirave është shpërndarë paraprakisht dhe, deri më tani, lirimi është kryer vullnetarisht. Nuk janë raportuar raste të kundërshtimit nga subjektet apo pronarët.
Durrës – Ervina Garo:
Në qarkun e Durrësit janë identifikuar 199 objekte që nuk respektojnë distancën e përcaktuar nga rrugët kombëtare, prej të cilave 45 ndodhen vetëm në aksin Durrës-Tiranë.Nga një vëzhgim në këtë segment, rezulton se pjesa më e madhe e bizneseve nuk kanë ndërmarrë ende hapa për çmontimin e strukturave apo lirimin e hapësirave, ndonëse afati zyrtar ka përfunduar. Vetëm një numër i kufizuar subjektesh kanë nisur zbatimin e urdhrit në mënyrë vullnetare.
Lushnja – Evi Gjini:
Në Lushnje, një pjesë e subjekteve i janë bindur urdhrave të Policisë Bashkiake dhe IKMT-së, ndërsa të tjerë kanë kundërshtuar zbatimin me pretendimin se nuk kanë marrë një shkresë zyrtare me postë, por vetëm njoftime verbale, të cilat i konsiderojnë të paligjshme. Ata deklarojnë se kanë bërë pagesat përkatëse dhe kërkojnë dokumentacion zyrtar për çdo veprim.
Ndërkohë, aksioni në këtë zonë po përballet me vështirësi për shkak të mungesës së stafit , aktualisht janë vetëm dy punonjës të IKMT në Lushnje, të cilët kanë kërkuar përforcime nga drejtoria në Fier për të vijuar operacionin.



