Shoqata Çamëria dhe PDIU kanë përkujtuar viktimat e gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë. Me një simbolikë ndryshe, në kuadër të 75-vjetorit të gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë, qindra qytetarë kanë hedhur në Liqenin Artificial varka me flamur kombëtar dhe me një qiri të ndezur. Me këtë simbolikë janë kujtuar shpirtrat e shqiptarëve të Çamërisë që u vranë nga gjenocidi grek.

Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi u shpreh se do të donte që të ndizej një qiri në në Lumin e Akeronit në Çamëri, pikërisht në vendin ku vranë dhe u larguan me dhunë nga trojet e tyre shqiptarët e Çamërisë.
“Dua t’ju kujtoj të gjithëve se Çamëria është një tokë e lashtë, me histori, ku janë përplasur të dyja qytetërimet iliro-pellazge. Ne do të donim shumë që për shpirtrat e shqiptarëve të Çamërisë, të ndiznim një qiri. E në fakt do të donim që këtë qiri ta ndiznim në Lumin e Akeronit, i cili ndodhet në zonën e Çamërisë, ku nga mitologjia ata që vdesin kalojnë në botën tjetër me varkë dhe me dy monedha floriri. I hodhëm këto varka me flamur kombëtar edhe me një qiri të ndezur, për t’iu thënë të gjithëve që “Çamëria Nuk Harron”, sot është koha për Çamërinë. Kush mendon që ne do të lodhemi, apo koha do të na mund në harresë, ta kenë të qartë se ne deri tek çami i fundit dhe deri tek shqiptari i fundit, do të kërkojmë dhe nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi për Çamërinë”, u shpreh Shpëtim Idrizi.
Gjithashtu kryetari i PDIU-së theksoi se sot ka një Rezolutë për Çamërinë dhe një ligj që njeh 27-Qershorin, si ditën e përkujtimit të viktimave nga gjenocidi grek.
Qirinjtë dhe flamujt u lanë në Liqenin Artificial, në përkujtim të viktimave nga Genocidi e spastrimi etnik grek, mbi shqiptarët e Çamërisë.



