Presidenti kthen në parlament ligjin për importin e mbetjeve

Presidenti kthen në parlament ligjin për importin e mbetjeve

Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin e importit të mbetjeve.

Ai i ka cilësuar të përshpejtuara procedurat e miratimit të ligjit.

Në sqarimin e tij, Kreu i shtetit thekson se ligji bie ndesh me nenin 59 të kushtetutës përmes të cilit përcaktohet se: ‘Shteti brenda kompetencave dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë privatesynon një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm’. 

Ja dekreti:

Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë, në respektim të kuadrit ligjor ndërkombëtar të detyrueshem për Republikën e Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës kam vlerësuar se ky ligj, duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit mbështetur në arsyet dhe argumentet e mëposhtme:

Së pari: Ligji 92/2016 është në kundërshtim me Direktivën 2008/98/EC , sipas të cilit duhet të zbatohet parimi i ‘vetëmjaftueshmërisë dhe afërsisë’ dhe për më tepër nuk është një detyrim që rrjedh nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit apo ndonjë marrëveshje tjetër ndërkombëtare të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë.

Marrëveshja e Stabilizim Asocimit në nenin 108 të saj përcakton se: ’Palët do të zhvillojnë dhe forcojnë bashkëpunimin në detyrën shumë të rëndësishme të luftës kundër degradimit mjedisor, me synim promovimin e qëndrueshmërisë mjedisore. Bashkëpunimi përqendrohet kryesisht në fushat prioritare që lidhen me acquis e Komunitetit për fushën e mjedisit.’ Përmes ligjit nr. 10 463, datë 21.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” u hodh hapi i parë në drejtim të përafrimit me Direktivën 2008/98/EC, në drejtim të modernizimit të sektorit të menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri. Me ligjin nr. 156/2013 u ndalua importi i mbetjeve jo të rrezikshme, gjë që përmbushi edhe pritshmëritë e 65 000 zgjedhësve, të cilët i kërkuan KQZ zhvillimin e një referendumi me qëllim shfuqizimin e dispozitave përkatëse që lejonin importin e mbetjeve jo të rrezikshme.

 

Së dyti: Ligji bie ndesh me nenin 59 të Kushtetutës, përmes të cilit përcaktohet se: ‘Shteti brenda kompetencave dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm’.

Lejimi i importit të mbetjeve referuar Ligjit, duke gjeneruar një ndotje shtesë në raport me popullsinë dhe territorin e vendit mund të kompromentojë në mënyrë të pakthyeshme parimin e zhvillimit të qëndrueshëm të sanksionuar në Kushtetutë.

Shqipëria është një vend me shumë avantazhe bazuar në atë që i ka dhënë natyra dhe burimet njerëzore vendase, dhe ka strategji zhvillimi në bujqësi, turizëm, energji, të cilat nëse vihen në eficencë krijojnë e do të krijojnë mjaftueshëm vende pune dhe mirëqenie në vend. Avantazhi konkurrues për Shqipërinë nuk mund të jetë riciklimi i mbetjeve të importuara.

 

Së treti: Procedurat e ndjekura në miratimin e Ligjit kanë qenë të përshpejtuara, në mungesë informacioni, transparence dhe pjesëmarrje të qytetarëve Shqiptarë, në kundërshtim me nenin 56 të Kushtetutës referuar të drejtës së qytetarëve për t’u informuar me gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij si dhe Konventën e Aarhus “Për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për cështjet e mjedisit”

Kushtetuta e R.SH-së në nenin 56 të Saj përcakton se: ‘Kushdo ka të drejtë të informohet për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij’.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka ratifikuar me ligjin nr.8672, datë 26.10.2000, Konventën e Aarhus “Për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit”. Në nenin 1 të Konventës së Aarhus përckatohet se: ’Me qëllim që të kontribuojmë në mbrojtjen e të drejtës së çdo individi të brezave të sotëm e të ardhshëm, për të jetuar në një mjedis të përshtatshëm për shëndetin dhe mirëqenien e tij, çdo palë do të garantojë të drejtën e publikut, për të pasur informacione për mjedisin, për të marrë pjesë në marrjen e vendimeve mjedisore.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy