
Një raport i Institutit të Ekonomisë Gjermane ka konstatuar se tregu gjerman i punës ka nevojë për rreth 300 mijë profesionistë. Sipas raportit, Gjermanisë i mungojnë ende ekspertët në fushat më të rëndësishme shkencore dhe teknike. Aktualisht ka një mungesë prej 285.000 specialistësh në të ashtuquajturat profesione MINT (që do të thotë matematikë, informatikë, shkenca natyrore dhe teknologji). Prej tyre 132.100 i përkasin punëtorëve të kualifikuar me diplomë të shkollës së mesme dhe 122.300 vende pune të ekspertëve me arsim të lartë, pra me diploma universitare, raporton DW.
Autorët e studimit e shpjegojnë rënien e lehtë të kërkesës për ekspertë në fushën MINT pjesërisht me dobësimin e ekonomisë në Gjermani, sepse ekonomia gjermane aktualisht është në recesion.
Studimi sheh nevojën më të madhe për fuqi punëtore profesionale në fushën e energjisë dhe në atë elektrike. Këtu ka një mungesë prej rreth 81 900 ekspertësh.
Paga mesatare mujore (bruto) e një eksperti me diplomë universitare dhe që punon me kohë të plotë në fushat MINT ishte rreth 5.900 euro në vitin 2021, që është mesatarja për ekspertët me arsim universitar. Por ekspertët me një diplomë universitare në fushat MINT janë shumë më shpesh në pozicione drejtuese, sesa njerëzit e tjerë me diploma akademike. Përqindja e këtyre personave në pozitat drejtuese është 35 për qind.



