Pas zgjedhjes në krye të Shtëpisë së Bardhë, Donald Tramp duhet të vendosë se çfarë do të bëjë me bizneset që e bënë të pasur dhe të famshëm në të gjithë botën. Tramp është president i Organizatës Tramp, një konglomerat i kompanive të tij anembanë botës.
Gjatë fushatës, ai ka thënë se do të ndahet nga kompanitë e tij, duke ia kaluar kontrollin e tyre brezit të ri. Sigurisht me këtë nënkupton tre fëmijët e tij më të mëdhenj, Donald Jr., Ivanka dhe Erik, të gjithë zëvendëspresidentë të Organizatës Tramp.
“Nëse bëhem president, nuk do të merrem shumë me biznesin. Është një kokërr kikiriku”, ka thënë ai duke lënë të kuptohet se presidenca është diçka shumë më e madhe.
“Dua ta bëj Amerikën sërish një vend të madh dhe të pasur. Kam fëmijët në krye të punëve. Nuk do të përzihem shumë sepse nuk shqetësohem për asgjë më shumë sesa për vendin tim”, ka shtuar ai.
A është kjo thjesht një deklaratë fushate apo një premtim që Tramp do ta mbajë me të vërtetë? Duhet pritur data 20 janar.



