Sllovenia dhe Bosnjë e Hercegovina vijojnë të përballen me pasojat e stuhisë së dëborës që përfshiu dy shtetet.

Autoritetet në Slloveni po punojnë intensivisht për rilidhjen e energjisë elektrike pasi shumë linja u dëmtuan nga moti me stuhi ndërsa shkollat, një sërë autostradash dhe linjash hekurudhore vijojnë të jenë të mbyllura.
Përveç problematikave të lartpërmendura ekipet e shpëtimit në Slloveni gjetën edhe trupin e pajetë të njërit prej dy alpinistëve hungarezë qe u raportuan të zhdukur më herët gjatë kësaj jave. Ekipi i shpëtimit bëri të ditur se kërkimi nga ajri ka qenë mjaft i vështirë për shkak të motit ndërsa shtoi se trupi i pajetë i njërit prej alpinistëve u gjet në rreth dy metër dëborë. Ndërsa alpinistja tjetër u dërgua me helikopter për marrjen e ndihmës mjekësore.
Njëjtë si Sllovenia një sërë problematikash u shënuan edhe në Kroaci dhe veçanërisht Bosnjë e Hercegovinë ku rreth 200 mijë shtëpi mbetën pa energji elektrike duke bërë që shumë qytetarë të humbasin aksesin ndaj ngrohjes.
Sipas autoriteteve rënia e madhe e dëborës po pengon ofrimin e ndihmës veçanërisht për banorët që ndodhen në zonat e thella të vendit çka ka bërë që në shumë prej tyre të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Ndër qytetet më problematike cilësohen Drvari, dhe Bosanski Petrovc në të cilat trashësia e dëborës ka arritur mbi 80 centimetër.



