Kanë mbërritur 10 pacientët e parë në spitalin e Gramshit ku gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar, kryesisht me asfiksi dhe ankth. Ndërkohë mësohet se një repart është hapur posaçërisht nëse do të ketë pacientë të prekur nga zjarri.
Pavarësisht thirrjes së autoriteteve për të lënë shtëpitë vetë banorët pohojnë se kanë refuzuar pasi kanë lënë pas gjithçka të ngritur me djersë e mund. Ata tregojnë momentet e ferrit dhe sesi i shpëtuan zjarrit. Ndërkohë kërkojnë ndihmën e autoriteteve për tu strehuar.
Gazetarja Entela Duka raportoi për edicionin e lajmeve në MCN TV, se një e moshuar rezulton e zhdukur dhe nuk ka kontakte me familjarët e saj.
Nusja e djalit të 80-vjeçarit që shkaktoi zjarrin dhe ndërroi jetë prej tij, shprehet në lot për çka përjetoi dhe momentet e para të përballjes me zjarrin agresiv.
Mora një zorrë për të shuar ujin, thirra vjehrrin, njoftova policinë. Kur u ktheva sërish thirra për vjehrrin, por ç’të shikoja.
Zjarri u përhap shumë shpejt, nuk e shpëtonim dot.
Kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj flet për gjendjen shëndetësore të pacientëve dhe masat e marra për të përballuar situatën e krijuar.
Situata e fshatrave në zonën e Gramshit është shumë e vështirë. Fatmirësisht pacientët kanë shfaqur shenja intoksikimi dhe ankth, por pa rrezik për jetë. Në terren janë të gjithë ekipet në gatishmëri.
Është dhe helikopteri te stadiumi i Gramshit, për të dërguar çdo pacient që mund të ketë nevojë, por deri më tani nuk ka raste të tilla.
Gjithë spitali i Gramshit është në gatishmëri dhe Ministria e Shëndetësisë ka vënë gjithçka në dispozicion. Nga ana shëndetësore gjithçka është nën kontroll. Askush nuk po ikën në shtëpi, është hapur dhe reparti lart.
Ka shumë rëndësi largimi i menjëhershëm i njerëzve, se zjarri nuk të pyet. Këshilloj të gjithë banorët e prekur që të lagin një copë rrobe dhe ta vendosin te hunda dhe goja, që të mos pësojnë insufiçencë dhe arrest respirator për të mbrojtur rrugët e frymëmarrjes.



