
Në përvjetorin e 20-të të çlirimit dhe të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë pritet të marrin pjesë personalitete të ndryshme nga e gjithë bota.
Sipas burimeve të Indeksonline në këtë përvjetor jubilar do të marrë pjesë edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Bill Clinton.
Gjatë vitit 1999 ShBA-ja me në krye ish-presidentin Clinton ka qenë aktore kryesore në vendimin për bombardimin e ish-Jugosllavisë nga Aleanca Veriatlantike NATO që atëbotë udhëhiqej nga gjenerali i famshëm amerikan Wesley Clark.
Përveç ish-presidentit Clinton në ditën e çlirimit të Kosovës më 12 qershor pritet të jetë edhe ish sekretarja e ShBA-së Madeleine Albright.
Në kohën e ndërhyrjes dhe të çlirimit të Kosovës, zonja Albright ishte sekretare e shtetit dhe zyrtarja kryesore amerikane që i dha shtytje fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.
Kjo është hera e katërt që Bill Clinton do të vizitojë Kosovën. Për herë të fundit, ai ishte në Kosovë para 10 viteve, më 1 nëntor 2009 dhe u prit në mënyrë madhështore nga institucionet dhe qytetarët e Kosovës.
Po atë ditë u përurua edhe shtatorja e tij në bulevardin “Bill Clinton” në kryeqytetin e Kosovës. /Sipas KultPlus/



