Gazetari Robert Papa, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një lidhje skype në studion e lajmeve në MCN TV ka diskutuar mbi zhvillimet brenda Partisë Demokratike ku referuar referendumit dhe Kuvendit të PD ai tha se për këtë vendos Gjykata.
Teksa e ka cilësuar të turpshme atë që po ndodh, Papa tha se pas një kuvendi me pjesëmarrje masive nga Berisha, grupi rithemelues kishte të drejtë të merrte selinë, ndërsa u shpreh se mendon se do ketë dy parti një të madhe me Berishën dhe një të vogël me Bashën.
Ndërsa lidhur me akuzat e Berishës ndaj ambasadores amerikane në vendin tonë Yuri Kim, Papa tha se lufta politike nuk po sillet me gjuhë diplomatike, ndërsa theksoi se ka ardhur koha që amerikanët të na shohin seriozisht dhe të na ndihmojnë realisht.
Intervista e plotë
1-Po shohim një luftë bravash ditët e fundit në Partinë Demokratike, por kush mendoni se ka çelësin e zgjidhjes së krizës në këtë situatë? A duhet të presin palët vendimin e gjykatës për statutin?
Problemi është se kjo që po ndodh është e turpshme. Natyrisht pas një kuvendi me pjesëmarrje masive ky grup rithemelues kishte të drejtë të merrte selinë. Nga ana tjetër ai grup tjetër mendon se selia i takon. Pse duhet të kemi seli kaq madhështore për parti të vogla. Gjykata do vendos në këtë përplasje por çdo anëtar i PD e di që shumicën e anëtarëve e ka Berisha. Basha i ka shpëtuar drejtësisë në procedurë disa herë. Mendimi im është se do kemi dy parti një parti të madhe me Berishën dhe një të vogël me Bashën.
2-Departamenti Amerikan i Shtetit hodhi poshtë të gjitha akuzat e Berishës ndaj ambasadores Yuri Kim, duke i konsideruar të pajustifikuara. Një tjetër goditje për Berishën kjo?
Natyrisht që në çaste të caktuara departamenti i shtetit jep mesazhe. Tensioni Kim- Berisha ndihet dhe departamenti dihet se do mbante anën e ambasadores. Kim është emërim i karrierës nuk e ka gradën ambasadore dhe në këtë rast departamenti do mbaj anën e diplomatëve të vet. Megjithatë kjo tregon se puna e saj nuk është ashtu siç duhet të ishte. Nuk është hera e parë që kjo ndodh, por nuk duhet të nxisë asnjë celulë apo frymë anti-amerikane.
3-Berisha e akuzon Yuri Kim se po vepron si guvernatore në Shqipëri. Por nëse amerikanët duan të kenë këtë rol, a mund t’i pengojë Berisha apo qoftë ndonjë lider tjetër?
Lufta politike nuk po sillet me gjuhë diplomatike. Pjesëmarrja e saj me politikanët, oligarekët nuk është sjellja e një ambasadore. Kjo nuk ndodh për herë të parë në Shqipëri. Kështu ka dodhur edhe në kur ishte mbreti Zog. Jemi kthyer në atë kohë. Nuk është hera e parë që Berisha bën akuza me ambasadorët amerikan dhe e ka zgjedhur këtë stil sepse e di që në ‘97, ‘98 amerikanët ishin më të ashpër ndaj tij.
4-Kundërshtarët e Berishës akuzojnë për ngritjen e një fryme antiamerikane në Shqipëri. A mund të gjejë hapësirë kjo frymë në Shqipëri, i konsideruar vendi më pro-amerikan në rajon…
Fatkeqësisht ka kohë që është thënë nga Donald L,u celulat anti-amerikane kanë nisur në Shqipëri. Ka shumë shqiptarë që se duan Amerikën, por në përgjithësi populli shqiptar është pro-Amerikës. Problemi është nga të dyja palët si nga politikanët shqiptar ashtu dhe diplomatët. Ne jemi me diplomacinë amerikane, por dhe këta duhet të dinë të na dërgojnë diplomatë. Faji është dhe yni që s’kemi dërguar duke mos vlerësuar Amerikën dhe ata nuk na vlerësojnë ne. Ka kohë që nuk po na sjellin ambasadorë me gradë. Ka ardhur koha që amerikanët të na shohin me seriozitet dhe të na ndihmojnë realisht. Për një sistem politik që partitë të mos jenë të bunkerizuara. Grupime të vogla ka pasur duket se opozita ka një përplasje të fortë, fati i shqiptarëve vendoset në Shqipëri, mbështetur nga diplomatët por me dinjitet.



