
Martesat përmes agjencive martesore vazhdojnë të jenë një alternativë edhe në kohët moderne.
Për mënyrën se si funksionojnë këto shërbime, si lindin njohjet dhe sa të suksesshme janë ato, folën në emisionin "MCN Informacion" përfaqësuesit e agjencive martesore Ken Kika nga Kosova dhe Muhamet Bizhga nga Shqipëria.
Ata treguan se si u lindi ideja për krijimin e këtyre platformave dhe si zhvillohet procesi i njohjes mes çifteve.
Ken Kika, përshtatës çiftesh, tha se ideja për agjencinë lindi nga përvoja familjare dhe frymëzimi nga një serial televiziv.
Jam frymëzuar nga një serial për të hapur një agjenci martesore.
Fillimisht ideja lindi brenda familjes dhe më pas mendova pse të mos e zyrtarizoja. Puna po ecën mirë.
Kandidatët ndahen në kategori sipas moshës dhe më pas organizohen takime.
Unë i klasifikoj në tre kategori sipas moshës. Takimet zhvillohen në një lokal, ku secili ka mundësi të bisedojë me secilin. Më pas, nëse ka interes, mund të organizohen takime individuale.
Tarifa për një takim është 100 euro për çift, ndërsa kohëzgjatja varet nga vetë të interesuarit.
Takimi mund të zgjasë pesë minuta ose një orë, sipas dëshirës së çiftit. Deri tani kam bashkuar rreth 140 çifte.
Kërkesat më të shumta vijnë nga meshkujt e grupmoshës 25-35 vjeç.
Nga ana tjetër, Muhamet Bizhga tha se platforma që ai administron funksionon ndryshe nga një agjenci tradicionale ndërmjetësimi.
Ideja lindi nga platforma online që kemi krijuar prej gjashtë vitesh. Ne nuk bëjmë ndërmjetësim të drejtpërdrejtë, por u krijojmë mundësi njerëzve të lidhen me njëri-tjetrin.
Çdo person që regjistrohet kalon fillimisht një intervistë.
"I ftojmë në intervistë, ku sqarohen kërkesat e tyre, çfarë kërkojnë dhe çfarë ofrojnë.
Më pas përgatitet një prezantim profesional dhe publikohet njoftimi. Kush është i interesuar, kontakton drejtpërdrejt personin.
Platforma nuk pranon profile anonime.
Personat paguajnë një abonim për publikimin e profilit. Ata që publikojnë foto paguajnë më pak, ndërsa profilet pa foto kanë tarifë më të lartë, sepse ne nuk duam persona anonimë në platformë.
Roli i platformës përfundon te krijimi i kontaktit mes palëve.
Ne nuk merremi me faktin nëse ata lidhen apo jo. Qëllimi ynë kryesor është të ofrojmë një platformë serioze online për njohje.



