
Kryeministri Albin Kurti ka akuzuar forcat serbe per provokim duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, në territorin e komunës së Kamenicës.
Këto kërcënime, Hisen Berisha, deputet i PD-së, në një komunikim për “MCN live” i quan permanente nga Serbia, por që janë të pamundura në një kohë kur Kosova është e mbrojtur nga trupa ushtarake ndërkombëtare.
Termi kërcenim kur përdoret dihet se Serbia është kërcënim permanent për shqiptarët, prejse ekzistojnë. Duke ditur ambiciet e Serbisë në raporti me Kosovës, dihet se kërcënimi ekziston gjithmonë, prandaj ka ndodhur lufta në Kosovë, prandaj ka një prezencë ushtarake te NATO-së këtu, në parandalimin e një konflikti të mundshëm në të ardhmen,
Por sa janë reale këto pretendime të kryeministrit Kurti që nga ardhja në pushtet të tij, ai ka folur me një gjuhë të tipit terrorizues për qytetarët se gjoja pritet një sulm nga Serbia. E kam thënë, dhe po e përsëris, këtu ka një prani të trupave ushtarake ndërkombëtare, këtu ka një flamur amerikane që valon dhe hyrja e Serbisë në Kosovë, do duhej që ta ketë së pari bekimin apo do duhej të dështonte NATO apo Amerika.
Kështu që kjo është jo reale, ai e bazoi në disa lëvizje të trupave të mëhershme në kufi. Pas marrëveshjes që ka arritur në qeverisjen e z.Kurti, është hequr zona e sigurisë pikërisht në ato 5 km, në toke dhe në ajër 25 km, zona tokësore deri në vijën e kufirit është zonë dhe territor i Republikës së Serbisë, në të cilën ai bën ushtrime ushtarake dhe mund të na duken se janë edhe shumë afër kufirit.
Për deputetin Berisha, pretendimet e tanishme të afrimit të trupave serbe në kufi, janë për momentin të stisura nga vetë kryeministri Kurti, që me gjasë i bën për të devijuar vëmendjen nga problemet e brendshme të cilën po kalon politika në vend.
Ne duke e ditur se Serbia është ende me koncepte komuniste dhe në konceptin doktrinor të saj e ka ende ekspozimin e forcës në afërsi të kufirit të shteteve që i synon ose ka pretendime , këtë veprim e ka kryer edhe këto ditë, dhe Kurti i interpreton si një rrezik nga një sulm nga Serbia,
Unë këtë e shoh se tendencë për të tërhequr vëmendjen nga problemet e mëdha dhe të thella të cilat janë krijuar në Kosovë, qoftë në punën e përgjimeve, dhe çështje tjera .
Për ta ikur vëmendjen nga këto përplasje po mundohet të stis tani se gjoja ka një sulm nga Serbia, dhe është non-sens dhe i pamundur.
Nëse ik NATO ik nga këtu, atëherë duhet te mbledhim forcat tona dhe të shohim çfarë do bëjmë.



