Kryeministri Edi Rama mbajti sot një takim falenderues me mësuesit, të cilët kanë ndihmuar në mësimin online gjatë periudhës së karantinës në pandeminë e koronavirusit.
Teksa foli me disa prej mësuesve të cilët dhanë mësim online, kreu i qeverisë shpjegoi pasojat nëse shkollat do të vazhdonin të qëndronin mbyllur. Rama u shpreh qartë se hapjen e shkollave do të rritet në mënyrë të konsiderueshme transmetueshmëria e virusit.
“Më vjen mirë që sot e kemi përmbyllur këtë përpjekje të madhe të përbashkët, por tuajën në radhë të parë dhe jemi në gjendje që të ofrojmë një rrugë alternative mësimi, por sidomos në kushtet e sotme kur arsimi është i sfiduar nga domosdoshmëria të për mbrojtur shëndetin. E dimë mirë që me hapjen e shkollave rritet në mënyrë të konsiderueshme mundësia e transmetimit dhe është një sfidë më vete. Por duke vlerësuar këtë vendim dhe duke parë edhe cfarë kanë bërë të tjerët opsioni i mbylljes së shkollave ishte opsion më i keq dhe patjetër që do të shkaktonte një kosto tjetër sidomos psikologjike për fëmijët me pasoja që ne nuk i llogarisim dot”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri Rama, mes të tjerash, premtoi edhe rritje rrogash për mjekët dhe mësuesit me buxhetin e ri.
“Do bëjmë çmos që ta rrisnim mbështetjen për mësuesit edhe pse kushtet nuk janë më optimalet por ne mendojmë që për mjekët dhe mësuesit duhet të bëjmë një sforco të madhe, për mjekët në radhë të parë por paralelisht me ta edhe për mësuesit. Shumë shpejt ne do konkludojmë me këtë dhe jemi duke menduar një sistem të meritës së mësuesve që po e analizojmë dhe nga sezonin e ardhshëm do jemi gati të themi si do funksionojë ky sistem kur mësues si ju duhet të trajtohen financiarisht ndryshe nga të tjerët, natyrisht bazuar në kritere strikte. Por për të gjithë mësuesit, sidoqoftë, ashtu si për mjekët ne do bëjmë shumë shpejt një rritje të pagave me buxhetin e ri dhe është mëse e meriituar”, u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se në kuadër të situatës së pandemisë së koronavirusit, qeveria ka menduar që të hapë një kanal të dedikuar televiziv, RTSH Shkolla’.
Rama shprehet se ky kanal do t’iu vijë në ndihmë nxënësve në këtë fazë të vështirë në kushte e mbrojtjes së shëndetit nga COVID-19.
“Një kanal televiziv që i shërben ekskluzivisht arsimit, si një mundësi reale mësimi me mësuesit më të mirë shqiptarë, për të gjithë nxënësit, e sidomos për këtë fazë të vështirë ku mësimi duhet të zhvillohet në kushtet e mbrojtjes së shëndetit nga virusi Covid 19”.



