
Pas sulmit me armë në banesën e gazetaret Klodiana Lala kanë ardhur dhe reagimet e para nga politika shqiptare.
I pari që ka reaguar për këtë ngjarje ka qenë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar ndaj sulmit të bërë shtëpisë së prindërve të gazetares Klodiana Lala.
Rama e ka cilësuar të patolerueshme barbarinë mbi shtëpinë e gazetares, e cila u qëllua me breshëri automatiku.
“E patolerueshme barbaria mbi shtëpinë e gazetares Klodiana Lala! Ngjarja duhet zbardhur sa më parë dhe strukturat e shtetit janë të angazhuara maksimalisht. Mbështes e inkurajoj Klodianën në këtë moment kritik dhe pres me padurim ndëshkimin e keqbërësve”, përfundon Kryeministri në "Twitter".

Ndërsa presidenti Ilir Meta ka dënuar me forcë sulmin e bërë ndaj shtëpisë së gazetares Klodiana Lala. Kreu i shtetit i ka shprehur gazetares mbështetjen e tij dhe e inkurajon të vijojë me profesionin e saj pa u trembur.
Meta dënon me ashpërsi sulmin me armë të kryer ndaj banesës së prindërve të gazetares së mirënjohur investigative, Klodiana Lala. Edhe përmes një bisede telefonike ku shprehu solidaritet të plotë me gazetaren Lala, dy vajzat e saj të mitura dhe prindërit e saj, Meta e inkurajoi të vijojë misionin e saj, pa u trembur dhe shantazhuar nga askush.
“Po kështu inkurajoj organet e sundimit të ligjit të hetojnë në mënyrë të plotë dhe shteruese, këtë ngjarje të rëndë, e të venë para ligjit këdo që qëndron pas saj.
Liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike”, nënvizoi Presidenti Meta.

Ndërsa kryetari i PD-së Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Rama dhe i ka bërë thirrje të gjejë "mafiozët që përdorën armët ndaj gazetares Klodiana Lala.
Kryeopozitari zbulon se plumbat kanë goditur dhomën ku flejnë vajzat e gazetares që mbulon lajmet në fushën e drejtësisë dhe shkak ka qenë publikimi i lidhjeve të ngushta të deputetit të Edi Ramës, Jurgis Çyrbja me bandën e Emiljano Shullazit.
" Mesazhi mafioz për gazetaren është i qartë:se kush del nga rreshti, kush shqetëson qeverinë, kush nuk i bindet sundimit të krimit, e ka fundin e shpejtë. Sulmi me armë ndaj gazetarës Klodiana Lala, e cila së fundmi nxori në dritë lidhjet e ngushta të deputetit të Edi Ramës, Jurgis Çyrbja me bandën e Emiljano Shullazit, janë tregues se krimi ndjehet i paprekshëm! Dhe kjo është e vërteta e hidhur! Prej 5 vjetësh krimi po triumfon, sepse ai bashkëqeveris me Edi Ramën!
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Basha i bën thirrje Ramës "të lërë lotët e krokodilit dhe të gjejë autorët e sulmit mafioz me armë kundër gazetarës Klodiana Lala!"
Banesa e gazetares Klodiana Lala është sulmuar gjatë natës, nga persona të paidentifikuar. Sipas informacioneve banesa është qëlluar gjatë natës me breshëri automatiku dhe mësohet se plumbat kanë prekur muret e banesës, si edhe kasën e derës së jashtme te saj, ndërsa në vendngjarje janë gjetur 10 gëzhoja.
Në çastin e të shtënave, në banesë ndodheshin familjarët e gazetares Lala vëllai, babai, ndërsa vetë ajo së bashku me dy vajzat e mitura, ishin aty deri në orët e vona të mbrëmjes. Shtëpia e prindërve është si një shtëpi e dytë për gazetaren Klodiana Lala, pasi në pjesën më të madhe të ditës, prindërit e saj mbajnë vajzat e vogla të saj.



