
Bashkimi Europian nuk e përjashton idenë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, përsa kohë ruhet stabiliteti në rajon. Gjatë një takimi në kuadër të punimeve të forumit të Alpbachut në Austri, ku morën pjesë presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, Thaçi dhe Vuçiç, Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, u shpreh se çfarëdo zgjidhjeje që të arrihet mes dy vendeve, Bashkimi Evropian nuk duhet të përjashtojë asgjë, por duhet të respektohet synimi i përbashkët, që është qëndrueshmëria në rajon dhe që nuk do të nxisë ide shtesë.
Edhe Presidenti i Austrisë, Alexander van der Bellen, la të kuptohet se gjërat mund të ndryshojnë. Ai është shprehur se dy presidentët, Thaçi e Vuçiç, janë të përkushtuar për të gjetur një zgjidhje që do të nxisë qëndrueshmërinë e rajonit, ndërsa theksoi se takimi në Alpbach i ka krijuar ndjenjën e një çasti historik.
“Diçka ka ndodhur mbrëmë. Unë kam përshtypjen se jemi drejt një momenti historik”, tha Der Belen duke iu referuar debatit në forumin e Alpbach-ut.
Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë kërkuan të dielën mbështetjen ndërkombëtare për çfarëdo marrëveshje që arrihet në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, qoftë edhe nëse ajo nënkupton ndryshim kufijsh.
Në një konferencë për mediat, Thaçi tha se Kosova dhe Serbia nuk do të jenë as të parat e as të fundit që do bëjnë korrigjim të kufirit për hir të paqes dhe t’i japin fund një konflikti prej një shekulli.
Thaçi theksoi se të dyja palët janë të vetëdijshme për domosdoshmërinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
"Kjo është arsyeja pse ne duam të sigurojmë shtetet fqinje, shtetet anëtare të BE-së apo shtete të tjera të botës se nuk duhet të kenë frikë nga një marrëveshje potenciale paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse një marrëveshje e tillë nënkupton një korrigjim të kufirit. Nëse kështu do të ndodhë, Kosova dhe Serbia nuk do të jenë as të parat e as të fundit që do bëjnë korrigjim të kufirit për hir të paqes dhe t’i japin fund një konfliktit prej një shekulli", tha presidenti Thaçi.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se një marrëveshje e qëndrueshme mes dy vendeve është e domosdoshme, por ajo nuk mund të arrihet pa mbështetjen e gjithë Bashkimit Evropian.
"Kemi folur shumë për rrugën tonë evropiane dhe kjo do të ishte qershia mbi tortë, por paqja e qëndrueshme ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve është arritje e madhe dhe për këtë po punojmë", tha ai duke shtuar se nuk mund të flasë për hollësi rreth marrëveshjes së mundshme.
Dy ditë më parë, këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen në idenë për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por nëse palët merren vesh, SHBA nuk do të bëhet pengesë. Bolton shprehu se një marrëveshje të tillë nuk do ta kundërshtojë as Bashkimi Evropian.



