Ish-zëvendës komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari, thotë se forcat ruse kanë marshuar drejt Kievit, për të cilin shprehet se është edhe fokusi i Rusisë.
Duke folur në studion e lajmeve të MCN TV, Meçollari deklaron se objektivi i Rusisë në thelb, është arritja e Kievit.
Ai foli për një objektiv të kufizuar, duke thënë se Rusia e ka të vështirë që të mbajë të pushtuar Ukrainën, pasi kërkon rreth 400 mijë forca, por edhe burime kombëtare për ta mbajtur.
Për Meçollarin, sot Rusia e ka të sforcuar këtë kapacitet dhe do e ketë të pamundur kur sanksionet të jenë vendosur.
“Nëse do të ishte një operacion i mirëfilltë ushtarak, do të flisnim për shifra më të larta. E gjithë ushtria ukrainase duket si e padukshme. Ku është ushtria e Ukrainës? Në momentin e parë sulmi ka ndodhur në këtë mënyrë, ka qenë operacion i përzier, në momentin e parë janë goditur instalimet kryesore kombëtare dhe të ushtrisë. Këto instalime janë braktisur në momentin e parë që janë goditur. Janë braktisur më parë. Niveli strategjik ukrainas ka kuptuar objektivin e forcave ruse. Duket sikur forcat ukrainase janë të decentralizuara në grupe të vogla. Nuk kemi një përballje klasike mes forcave ruse dhe ukrainase. Janë rigrupuar në grupe të vogla që vështirë të goditen. Kemi një strategji për ruajtjen e forcave për një moment të dytë, Kievi ka 24 orë i rrethuar dhe nuk po goditet nga forca ruse. Ukraina duket sikur është programuar për betejën vendimtare për Kievin, kur të goditet Presidenca, Këshilli i ministrave dhe Parlamenti. Ndarja e Ukrainës nuk është objektivi për momentin, por rrëzimi i qeverisë dhe vendosja e një qeverie kukull”, u shpreh Meçollari.
Sipas tij, objektivi i Vladimir Putin, është ndryshimi i arkitekturës së sigurisë europiane dhe se nëse do të bëhet tolerim në këtë moment, do të vazhdojë skema e tolerimit një mbas një, deri sa të arrijë objektivat e tij.
Meçollari tha se Ukraina, ka një strategji të pavarësisë së plotë nga Rusia. Ai shprehet se kërcënimi i Rusisë shkon përtej Ukrainës.



