Deputetët e të ashtuquajturës opozita e re, shfaqen me plot kundërshti dhe dilema, nëse Presidenti i Republikës Ilir Meta vendos për të nënshkruar dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.
Një prej tyre është deputeti Halit Valteri, i cili u shpreh për TVT.al se pa plotësimin e Gjykatës Kushtetuese, vendimi i Presidentit të Republikës konsiderohet nul.
Valteri mendon se Presidenti Meta nuk e ka si kompetencë ligjore për të ndërmarrë një veprim të tillë, pasi nëse ai do t’a kishte, çdo debat për dorëzimin e mandateve do të ishte i kotë.
Ndërsa, përsa i përket negociatave nga disa deputetë të grupit opozitar në Kuvend për të dorëzuar mandatet, sapo Presidenti nënshkruan dekretin e shpërndarjes, Valteri tha se dy forcat politike LSI dhe PD kanë njerëzit e tyre në Kuvend dhe çdo akt i ndërmarrë prej tyre nuk do të ishte surprizë.
Kurse, Korab Lita, edhe ky një deputet i të ashtuquajturës opozitë e re tha për TVT.al se që nga dita e parë që ka futur këmbën në Kuvend dhe, deri në këtë moment të ushtrimit të detyrës është i gatshëm për të dorëzuar mandatin e deputetit.
Megjithatë, Lita thekson se nëse Presidenti ka vendosur të jetë ushtari i parë në mbrojtje të Kushtetutës së Republikës, fillimisht ai duhet të sqarojë nëse e ka një kompetencë të tillë ligjore.
I pyetur në lidhje se mos ka negociuar me Partinë Demokratike për të dorëzuar mandatin e deputetit, pas nënshkrimit të dekretit për shpërndarje të Kuvendit të Republikës nga presidenti Meta, ai nuk preferoi të japë detaje, duke u mjaftuar vetëm se kjo është një pyetje që s’mund t’i japë përgjigje dhe për më tepër të dalë në media.
Ndërsa, deputeti Lefter Maliqi deklaroi se është shprehur që prej fillimit se është i gatshëm për të dorëzuar mandatin, duke e konsideruar nëse do të ndodhte një veprim të drejtë shpërndarjen e Kuvendit nga Presidenti i Republikës.
Maliqi tha edhe pse në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, sovrani qëndron mbi gjykatën dhe do jetë ai që do marrë fatet e vendit në dorë.
Ai deklaroi se po pret që Presidenti t’a ndërmarrë një veprim të tillë, që të dorëzojë mandatin e deputetit menjëherë.
Katër ditë më parë, presidenti Ilir Meta paralajmëroi se do të firmosë shpërndarjen e parlamentit, nëse shumica nuk tërhiqet nga nisma për disa ndryshime në procedurat e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Një gjë të tillë, Meta e bëri të ditur gjatë manifestimit të thirrur prej tij më datë 2 mars, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara selisë së Presidencës.
Meta i dha kohë mazhorancës deri në 15 mars që të reflektojë dhe të heqë dorë nga ndryshimet ligjore që i heqin ekskluzivitetin kreut të shtetit për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.



