Një grup studiuesish ka nisur një studim shkencor për eshtrat që ndodhen në katakombet e Parisit, në Francë. Antropologu Filip Sharli thotë se ky është studimi i parë serioz.
‘Sado e habitshme që mund të duket, nuk ka pasur kurrë ndonjë studim serioz shkencor për katakombet. Kërkimi ynë po shqyrton 1000 vjet histori të shëndetit publik, mjekësisë dhe kirurgjisë, si edhe sëmundjeve në Paris dhe periferitë e tij. Ky është vendi ideal për të kryer një studim antropologjik dhe paleoantropologjik për këto çështje.
Nëpër katakombe ndodhen eshtrat e rreth 5 milion njerëzve. Tunelet me një gjatësi rreth 300 km, 20 metra nën tokë, presin 550,000 turistë në vit. Në hyrje është një tabelë që shkruan “Ndal! Kjo është Perandoria e Vdekjes.”
Shumica e eshtrave janë zhvendosur nga varrezat e qytetit, në gjysmën e dytë të shekullit të 18-të, thotë Sharli që drejton ekipin studimor.
‘Në fundshekullin e 18-të, autoritetet vunë re se nuk kishte më vende nëpër varrezat e Parisit. Ata thanë se kishin filluar problemet tek shëndeti publik për shkak të varrezave afër banesave, kështu që u krijua një komision për të vendosur se çfarë të bënte me trupat nëpër varreza. Arsyetimi zyrtar ishte shëndeti publik, por dyshoj se me presionin demografik që kishte filluar në Paris, interesi real ishte ai financiar dhe ekonomik për të pasur toka për zhvillim.
Operacioni masiv për dërgimin e eshtrave nëpër katakombe filloi në vitin 1788. Ndërsa eshtrat filluan të hidheshin vend e pa vend, autoritetet dhanë urdhër më pas që të rregulloheshin me përpikëri.
Studimi do të bazohet për të parë sa të vjetra janë eshtrat. Do të merren mostra ADN-je për të parë sëmundjet që shkaktuan vdekjet si dhe evoluimin e viruseve të ndryshme.



