Deputetja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari ka mbajtur një fjalim të fortë në Kuvend ku ka vijuar akuzat për pazare mes palëve politike.
Fjalën e saj në Kuvend ajo ia kushtoi edhe njëherë ndryshimit të sistemit zgjedhor duke shmangur lajmin e shkarkimit si kryetare e grupit Demokrat. Hajdari tha se nuk do të dorëzohet edhe pse nga ana e opozitarëve në Kuvend ka nga ata që duan llokma të koncesioneve.
"Kam ardhur për të diskutuar një gjë tjetër, se sapo më erdhi lajmi. Për Këshillin Politik, pasi ne diskutuam cështjen e ndryshimit të sistemit. Pse kauza për ndryshimin e sistemit është më me vlerë.
Ky parlament kalon ligje, 90% fshihet një deputet që ka një biznes apo kompani apo do të shesë pronat apo të bëjë pazare dhe asnjëherë nuk bëhen ligje për ata që luhet me taksat e tyre cdo ditë. Skena politike është shndërruar, që pas tyre kanë një të fortë, një narkotrafiknat, ka edhe nga ata opozitar që duan një llokmë,mos bëni opozitë duke dashur llokma. Unë nuk bëhem pjesë e tyre.
Duhet të mbarojë kjo politikë me shkelje syri, bëjmë akuza dhe flasim për koncesione dhe në darkë ulemi për të marrë një llokmë nga ai koncesion. Nuk do të jem kurrë mashtruese nuk do të dal me asnjë qindarkë më shumë, edhe pse do të kem shumë shkopinj në rrota, dhe shumë që do të më luftojnë. Por shqiptarët do të ngrenë sytë dhe do ta kuptojnë se unë quhem Rudina Azem Hajdari dhe amaneti i tij do të shkojë deri në fund" tha Hajdari.

Deputetja Hajdari u përplas sot edhe me Elisa Spiropalin e PS në Kuvend për çështjen e Teatrit Kombëtar.
Spiropali ka pohuar se Shqipëria duhet të ketë një Teatër të vërtetë ndaj duhet ndërtuar teatri i ri por për Hajdarin një gjë e tillë ishte tepër fyese.
“Duhet t’ju vijë turp që ofendoni artistët e Shqipërisë, nuk e dija se ishe arkitekte që të na tregoje si duhet ndërtuar teatri, më mirë apo më keq.
Mos ofendoni artistët shqiptarë! Të isha si ju do tërhiqja ato fjalë dhe do kërkoja falje publikisht.
A e kuptoni zonja Spiropali që në këtë parlament ju nuk e ngrini dot dorën pa ju thënë kryeministri, parlamenti është kthyer në kulisë e pazare për oligarkë, a e kuptoni që ky parlament është bërë lavatriçe për pastrim parash”, i tha Hajdari në replikën e saj Spiropalit.
10:40h- Kuvendi, diskutime rreth sistemit zgjedhor/ Gjoni-Hajdarit: Lista të hapura ose të ikim nga tryeza e reformës zgjedhore
Në fillim të seancës së sotme, disa nga deputetët kanë diskutuar përkitazi me ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Deputeti Ralf Gjoni u shpreh sot në Kuvend se nëse PS dhe PD do të vijojnë që të luajnë dhe të mos marrin në konsideratë ndryshimin e sistemit zgjedhor do të rishikojnë vendimin për praninë e tyre duke paralajmëruar largimin. Ai i kërkoi Rudina Hajdarit që të rishikojë vendimin nëse do të vijojë e njëjta sjellje. Për Gjonin, hapja e listave nuk kërkon ndryshim kushtetute, nëse ndryshimi i sistemit kërkon ndryshim kushtetute hajde flasim. Në një moment Gjoni lëshoi gojën në parlament duke u shprehur se 'E keni kthyer Kushtetutën si prostitutat e Amsterdamit' drejtuar shumicës dhe opozitës jashtë kuvendit.
"Nuk e kuptoj miratimin e ndryshimeve për ligjin për sektorin e energjisë në kontekstin aktual të emergjencës. Jemi në një javë shumë të rëndësishme dhe kritike për cilësinë e demokracisë dhe cdo të ndodhë vitin që vjen. Ndërkohë që parlamenti diskuton për energjinë elektrike, cdo shqiptar i ndershëm i pavarur që nuk i përket komunitetit të lëpirasve, ka një pyetje pse ka frikë Edi Rama listat e hapura? Përse propozimi im për ndryshimin e sistemit nuk është futur për trajtim por trajtohet nga Gjiknuri me një fjali, që propozimet e opozitës do të shikohen nga ekspertët nëse përputhen me Kushtetutën. Hapja e listave nuk kërkon ndryshim kushtetute, nëse ndryshimi i sistemit kërkon ndryshim kushtetute hajde flasim. E keni kthyer Kushtetutën si prostitutat e Amsterdamit.
Ka shumë socialistë që na e pranojnë se duan listat e hapura dhe janë gati të garanojnë më këtë sistem? Atëherë pse Rama i shkel syrin Berishës, nuk po flas për Bashën se ai është në gjumë. Shqipëria nuk ka nevojë për reformën elektorale por reformim të sistemit. Ne do të futemi në zgjedhje në vitin që vjen, a me një apo me. Që PS-ja është në krevat me PD-në, ata të LSI-së nuk i kuptoj pse 2017, kanë çuar Vasilin që duket si nuse fshati. Më e fortë duket Rudina Hajdari. Nëse ata vazhdojnë të luajnë lojëra, prania jonë në atë këshill duhet të futet në diskutim, nuk kemi nevojë të bëhemi nevojë e tresheve të tyre në krevat për të mbajtur pishtarin. Do të deskriditoj cdo lapanjos që do të votojë atë reformë, do i denoncoj te SPAK-u, që ta provojë se nuk fle gjumë si Lul Basha" tha ai.

Nga ana tjetër deputeti i opozitës parlamentare Andi Përmeti gjatë fjalës së tij Kuvend ka deklaruar se dje ka marrë një lajm të keq për “mos ndryshimin e sistemit zgjedhor”.
Ndërsa ka theksuar se ndryshimin e sistemit nuk e do as PS as PD ai duke iu drejtuar socialistëve ka deklaruar se sipas tij Rama po përgatit skenarin e 2013.
“Dje morëm një lajm të pritur por të keq, mosndryshimin e sitemit zgjedhor. Nuk e do as PD as PS.
Guxoni për ta ndryshuar sistemin. Nëse ia lini 100% Edi Ramës kam frikë se 50% e juaja do mungojë në parlamentin e ardhshëm. Rama po përgatit skenarin e 2013 për t’ju zëvendësuar ju me kriminelët.
Disa prej jush thonë se ia fut kot se nuk e lejon ligji por Edi Rama po përgatit ndryshimin e ligjin. Ata do të quhen biznesmenë të tregtimit të kanabisit të ligjshëm”, tha Përmeti.
09:26h- Kuvendi sot në seancë plenare, shqyrton projektligjin për tregjet e kapitalit dhe zonat e biznesit
Kuvendi pritet të shqyrtojë në seancën e sotme plenare disa projektligje.
Kështu sot pritet shqyrtimi i projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar””.
Kuvendi do të shyqrtojë projektligjin për “Tregjet e kapitalit””.
Sot Kuvendi pritet të shqyrtojë projektligjin “Për përmirësimin e zonave të biznesit (BID)”.
Kuvendi shqyrton edhe projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar””.



