Ish-deputeti Myslim Murrizi tha në edicionin e lajmeve në Mcn Tv se Rama ka cenuar rëndë autonominë vendore me aksionet e fundit, të shkarkimit të drejtorëve të bashkive në vend. Sipas Murrizit Rama u ka marrë bashkive 90 për qind të kompetencave, që mund të shtonin të ardhurat lokale. Sipas tij edhe dorëheqja e drejtuesve të policisë në Shkodër ka ardhur me urdhër të Ramës.
"Rama ka filluar punë punëtor pastrimi! E para është cenim i rëndë i autonomisë së pushtetit vendor. Rama përfiton nga rasti dhe i duket vetja si largqoftë Enveri, që inspektonte sekretarët e parë të rretheve, sepse falë pazarit të pistë me Bashën në 2019, ka 56 bashki. I konsideron frymorë, ushtarë të partisë, argatë, njerëz që thotë unë u kam emëruar sekretar të parë dhe unë bëj çfarë të dua me ju. Ka zëvendësuar Dallandyshen këto ditë! IKMT është një institucion që paguhet jo pak. Ka një drejtoreshë që rri sa te Kadastra sa te IKMT! Rama meqë e ka marrë përsipër këtë detyrë, duhet ta shkrijë IKMT-në, paguajmë Ramën 5 milionë edhe s’ka nevojë, le të heqë edhe kryetarët e bashkive! Është një arbitraritet, që ky me arrogancën e tij, me një pushtet tejmase të madh, falë kjo lajthitjes kolektive të disa bizbiqëve që ulërinin digjni mandatet, ky sot hingëllin si ai në maj të plehut edhe vete u tund këmbët atyre, ikni u thotë atyre në Vlorë. Ka cenuar kartën e autonomisë lokale të pushteteve që zgjidhen me votë, me sistem mazhoritar. Kryetarët e bashkive janë zgjedhur me emër të drejtpërdrejtë. U ka marrë 90 për qind të kompetencave, nuk japin dot leje ndërtimi më shumë se për një stallë delesh e shtëpi njëkatëshe. Nga Kopliku, Durrësi, Lezha, Kavaja, Divjaka, Fieri, Vlora, Saranda, Delvina, ua ka hequr kompetencat. Tiranës ia ka marrë kompetencat për ndërtime mbi 8 kate. Kullat i jep ky. Ia ka marrë 90 për qind të kompetencave, që mund të shtonte të ardhurat lokale”.
Murrizi tha po ashtu se Rama e ka blerë opozitën, dikur në tufë dhe tani tek e tek.
“Në 12 vite është njeriu më paekuilibër në mbajtjen e fjalëve që jep. I bën për t’i trembur ata në Theth që kur të shkosh të ndërtosh atje duhet të kollitesh mirë, se të vjen ky edhe t’i prish. Rama po bëhet drejtor i IKMT, po bëhet përgjegjës komunaleje. Rama i ka shkarkuar edhe policët, kujtoni që i ka shkarkuar Proda. Po drejtorin e Policisë së Lezhës, Tiranës, kush i linte të vepronin?! Benet Ramën do ta kundërshtojë Fatmir Lleshi?! Lëvizja e drejtorit të policisë është lëvizja e Ramës, me telefon, ma hiq filanin. Rama e ka blerë opozitën, në 17 maj 2017, i bleu tufë, tani ka filluar t’i blejë tek e tek! Ky është një autokrat falë edhe bizbiqve që kanë qenë në PD”.
Murrizi tha se vjeshta duhet të ketë zgjedhje për bashkitë, dhe opozita duhet ta lërë këtë ëndrrën që do fitojmë në shtator, ëndrrën e mosbindjes civile.
Murrizi tha se Jorida Tabaku duhet të jetë kandidate e PD-së në zgjedhjet për Bashkinë Tiranë.
“Për mua duhet të jetë Jorida Tabaku, derisa ka marrë vota në listën e hapur më shumë se të tjerët”.



