Përditësimi i shifrave të koronavirusit (në kohë reale nga Universiteti Johns Hopkins) tregon se Kina mban numrin më të madh të viktimave deri tani. Që prej shpërthimit të epidemisë, në të gjithë botën kanë vdekur 3 198 njerëz, shumica dërrmuese në Kinë. Aktualisht në rang global ka mbi 92 000 raste të identifikuara (93,455). Infeksioni është përhapur në mbi 70 vende dhe territore, 50 700 njerëz janë shëruar. Zonat "e kuqe" vazhdojnë të jenë: Italia, Irani, Japonia, Koreja e Jugut dhe Kina.
Situata e rënduar paraqitet edhe në Iran, ku deri tani ka 92 viktima. Rreth 8% e deputetëve iranianë rezultuan pozitiv për virusin. Lista e zyrtarëve aktual ose ish-funksionarëve të sëmurë nga infeksioni përfshin një nënkryetar, zv.ministër të Shëndetësisë dhe 23 deputetë të Parlamentit. Media shtetërore iraniane raportoi të hënën se për shkak të virusit ka ndërruar jetë Mohammad Mirmohammadi, 71 vjeç, anëtar i Këshillit të Përfshirjes, i cili këshillon liderin suprem të Iranit. Edhe ministri i Industrisë është gjithashtu i infektuar.
Megjithëse presidenti Hassan Rouhani sugjeroi një javë më parë se jeta të kthehej në normalitet deri të shtunën, Irani njoftoi sot se janë 92 të vdekurit nga virusi dhe të paktën 2 300 rastet e të infektuarve. Por ekspertët e shëndetësisë thonë se shkalla e vdekshmërisë sugjeron se rreth 4 000 njerëz mund të jenë infektuar. Askush nuk mund të parashikojë se në çfarë shkalle është përhapur koronavirusi në Iran. Një studim kanadez parashikoi një javë më parë se totali i vërtetë i infeksioneve mund të jetë mbi 18 000, "dhe një javë do të thotë shumë kohë më parë kur flasim për një epidemi", tha Isaac Bogoch, një mjek në Toronto. / La Repubblica /



