
Studimet më të fundit kanë treguar se stërvitja gjatë shtatzënisë është shumë e dobishme, si për nënën ashtu edhe për foshnjën.
Një shembull konkret është ai i Vendeta Idrizit, e cila ka vijuar të ushtrohet në palestër deri në muajin e 8-të të shtatzënisë.
E ftuar në programin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, Vendeta tregon se ka praktikuar crossfit, duke modifikuar disa ushtrime sipas gjendjes së saj.
Stërvitem bashkë me bashkëshortin tim. Më pëlqen shumë crossfit-i sepse është një disiplinë sfiduese, që përfshin tri elemente: atletikën, peshëngritjen dhe gjimnastikën. Kjo më ka shtyrë të sfidoj veten.
Në javët e para jam stërvitur normalisht deri në 6 ditë në javë. Jam konsultuar vazhdimisht me mjekun tim, i cili më ka lejuar të vazhdojë stërvitjen, duke më sugjeruar uljen dhe moderimin e peshave.
Hekuri standard është 15 kg, por maksimumi që kam arritur ka qenë 50 kg në javën e 30-të të shtatzënisë.
Madje, Vendeta ka marrë pjesë edhe në gara crossfit-i, ku organizatorët nuk e dinin se ajo ishte shtatzënë.
Më pëlqen të sfidoj veten dhe doja të shihja se në çfarë niveli isha. Vendosa ta provoja dhe u kualifikova në finale.
Në fillim nuk i kisha treguar as familjes për stërvitjen time.
Kam pasur debate me familjen, prindërit dhe bashkëshortin, të cilët kishin merak për shëndetin tim dhe të foshnjës. Megjithatë, them se gjithçka varet nga mënyra se si ndihesh dhe nga përvoja e mëparshme në stërvitje.
Nëse nuk ke ushtruar më parë, nuk duhet të fillosh gjatë shtatzënisë, sepse rrezikon veten dhe bebin. Unë thjesht e kam vazhduar atë që bëja prej vitesh, duke modifikuar ushtrimet dhe ulur peshat.
Ajo tregon se ka ruajtur një regjim të kujdesshëm dhe vetëm tre javë pas lindjes së vajzës së saj është rikthyer sërish në palestër.



