Gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Universitetit të Elbasanit, kryeministri Rama e vuri theksin në domosdoshmërinë e vetingut. Rama tha se mungesa e besimit te sistemi gjyqësor ka ndikuar negativisht te investimet në vend, sidomos ato në fushën e turizmit. Rama solli rastin e një projekti për investim të madh në bregdet.
Pjesë nga fjala e Ramës
“Kush na garanton që sot që flasim një vrasës nuk është duke dalë nga salla e gjyqit i lirë? Një përdhunues nuk është duke marrë duartrokitjet e njerëzve që kanë shkuar ta nxjerrin. Mjafton të shikojmë problemet që kanë komunitetet fetare për çështjen e pronave.
Kemi nevojë për investime që krijojnë punësim. Pse nuk kemi investime në turizëm? Sepse problem themelor që ndeshim është problem i paqëndrueshmërisë së pronës dhe paparashikueshmërisë së gjykatave. Para 2 vjetësh ne nisëm negociatat për një investim të madh, një marinë me një investitor shumë serioz. E gjithë kjo filloi mbi një truall shtet, ish-repart ushtarak.
Dy vjet dhe në momentin kur duhej firmosur kontrata, na vjen vendimi i gjykatës, një nga më spektakolaret që edhe në film ta shikosh thua ‘tani regjisori dhe skenaristi e kanë ekzagjeruar se nuk ka mundësi’.
Vendimi i gjykatës i jepte dikujt një pronë ku kurrë më parë nuk ka pasur as jetë as kullotë. Kërkoi 50 hektarë, gjykata i dha 500 hektarë. Keni parë që të shkosh në gjykatë opër t’u ndarë nga burri dhe të të japing 5 burra të tjerë?
Nga vjen kjo? Nga fakti që shteti nga gjykata trajtohet si mall pa zot. Këta gjykatës mund të rrinë më në sistem? Ata mund të ikin jo se duam ne, sepse sistemi e kërkon këtë gjë bazuar në ndryshimet kushtetuese, që ata të gjithë duhet t’i nënshtrohen vetingut, pra skanimit të pasurisë së tyre. Ata duhet të provojnë se pasuria e tyre është vënë me mund dhe jo me veprimtari të paligjshme.



