Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mori pjesë në 75-vjetorin e Çlirimit të rrethit të Skraparit. Në fjalën e tij, Meta tha se populli i Skraparit nuk do t’i harrojë kurrë sakrificat e patriotëve. Meta theksoi se sot duhet të jemi të gjithë të bashkuar rreth vlerave të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
“Kjo është një ngjarje e shënuar jo vetëm për Skraparin, por shumë e shënuar për gjithë popullin tonë. Një ngjarje që ndodhi vetëm pak ditë para Konferencës së Lavdishme të Pezës. 5 shtatori është një ngjarje shumë e rëndësishme sepse i dha një shkëndijë të fortë shprese dhe besimi se vendi mund të çlirohej, që pushtuesi mund të thyhej. Skrapari i dha mbi 2 mijë partizanë LANC-it , i dha 300 dëshmorë. Populli i Skraparit nuk do t’i harrojë sakrificat dhe heroizmat e patriotëve te tij. Në Skraparin e çliruar u mbajt kongresi i parë i rinisë antifashiste. Sot duhet të jemi të gjithë të bashkuar rreth vlerave të LANÇ, rreth vlerave më të mira të lirisë dhe atdhedashurisë”, theksoi kreu i shtetit
.



