Përfaqësuesi i Nismës “Dua të votoj 2025”, Elio Shyti, letrën dërguar Kuvendit nga disa organizata dhe individë për të kërkuar plotësimin e boshllëkut ligjor për votën e diasporës, e sheh si domosdoshmëri në mënyrë që vota për shqiptarët që ndodhen jashtë vendit të aplikohet në zgjedhjet që vijnë.
Ndërsa përfaqësuesi i organizatës “Germin”, Lirim Krasniqi tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se e elektorati në diasporë voton në mënyrë shumë më të pavarur dhe cilësore pasi është i shkëputur nga ndikimet brenda procesit.
Shyti shtoi se kërkesa që të realizohet vota e emigrantëve shqiptarë në vendin ku jetojnë në zgjedhjet e 2025, është detyrë ligjore e Kuvendit ndaj shqiptarëve.
Shohim një mungesë dëshire nga pala që duhet të mbushë boshllëkun ligjor duke qenë se dhe presioni është rritur.
Besoj se kjo është e mundur, parlamenti ka dhe dy muaj kohë para se të mbyllet ky sezon.
Mendoj se është e mundur, ne do vazhdojmë me aksionin tonë, madje dhe protesta.
E vetmja gjë që mungon është vetëm një projektligj nga Kuvendi.
Kemi pasur takim me kreun e KQZ, Ilirjan Celibashin dhe na ka garantuar se nga KQZ çdo gjë është gati dhe se duhet vetëm projektligji i Kuvendit.
Ne besojmë se kjo do të ndodhi dhe do e arrijmë deri në fund.
Hapësira për abuzim ka gjithmonë, në çdo votim ka pasur raste të tilla, por kjo nuk do të thotë që nuk duhet t’i japim diasporës të drejtën të votojë.
Ne duhet ta aplikojmë njëherë si metodë dhe më pas të shohim se ku ka vend për përmirësime.
Një opsion mund të ishte dhe vota elektronike, ne kemi folur me zotin Celibashi dhe ai na ka thënë se në ato zona ku është aplikuar ka pasur kontestim zero.
Kështu që pjesa teknike është pjesa më pak problematike. Teknikaliteti nuk është problem nëse duam ta realizojmë vërtetë votën e diasporës.
Diku te 1.7 milionë shqiptarë janë jashtë Shqipërisë, nga të cilët 1.2 janë në moshë për të votuar.
Do jetë një parlament ilegjitim nëse nuk përfshihet vota e diasporës.

Ndërsa Krasniqi deklaroi se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit 2022 thuhet qartë se ekziston një boshllëk në kodin zgjedhor sa i takon votës së emigrantëve dhe me atë vendim detyrohet Kuvendi që të plotësojë boshllëkun ligjor dhe se Kuvendi është institucioni përgjegjës për të plotësuar boshllëkun ligjor.
Kuvendi ka pasur një afat në këtë vendim që ishte janar 2024 dhe Kuvendi nuk e ka respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të plotësuar boshllëkun ligjor.
Sa i takon votës së diasporës është përgjegjësi ekskluzive e Kuvendit, jo vetëm mazhorancës por edhe e opozitës.
Hapi i parë duhet plotësimi i kodit zgjedhor dhe në momentin që bëhet kjo mund të flasim për modelin që do përdoret.
Propozimi i KQZ tregon që KQZ është e përgatitur për secilin model të realizimit të votës së diasporës.
KQZ është e përgatitur me kapacitete duke mos cenuar integritetin e votuesve dhe fshehtësinë e votës.
Nuk bëhet fjalë për një kërkesë të një individi apo shoqate, por për një kërkesë që vjen nga një grup shumë i gjerë shoqatash në vende të ndryshme.
Për rastin e Shqipërisë kjo është shumë e rëndësishme, duke qenë se një pjesë e madhe e shqiptarëve jetojnë jashtë vendit.
Pamundësimi i votës së diasporës ka rrezik të ndikojë më tej në uljen e besimit të shqiptarëve ndaj institucioneve që dalin nga zgjedhjet.
Nëse një gjë e tillë nuk mundësohet për zgjedhjet e ardhshme, kjo do të ketë efekte jo vetëm në cenimin e të drejtës por dhe dëshpërimin e shqiptarëve mbi një proces zgjedhor.
Është momenti i fundit që Kuvendi ta plotësojë këtë boshllëk ligjor dhe më pas KQZ të plotësojë hapat e tjerë.
Vota e diasporës së pari rrit legjitimitetin e institucioneve se rritet numri i personave që do votojnë dhe për rrjedhojë rritet dhe legjitimiteti dhe ligjshmëria.
Sa i përket orientimit politik të diasporës duke parë dhe shtete të tjera, diaspora përbën një trupë zgjedhor që është e pavarur nga ndikimet politike brenda vendit.
Elektorati në diasporë voton në mënyrë shumë më të pavarur dhe cilësore dhe është e shkëputur nga ndikimet brenda procesit.
Kjo nuk do të thotë që partitë nuk do të mungohet të ndikojë elektoratin, por diaspora do të jetë më e pavarur dhe kjo do të ndihmojë demokracinë shqiptare.



