Pashka Ortodokse/ Kryepeshkopi Janullatos: Mesazhi i Krishtit kumbon në mes të melankolisë së shkaktuar nga lufta në Gaza, Ukrainë dhe vende tjera

Pashka Ortodokse/ Kryepeshkopi Janullatos: Mesazhi i Krishtit kumbon në mes të melankolisë së shkaktuar nga lufta në Gaza, Ukrainë dhe vende tjera

Kryepeshkopi, Anastas Janullatos me rastin e festës së Pashkës ortodokse ka dërguar një mesazh për besimtarët. Në fjalën e tij Kryepeshkopi theksoi se mesazhi i Krishtit ende kumbon në mes të errësirës dhe melankolisë të shkaktuara nga ngjarjet e dhimbshme Ukrainë, Gazë, Sudan, Haiti dhe në vende të tjera të botës.

Ai më tej shtoi se ky mesazh kumbon edhe për realitetin në vendin tonë, shpesh i munduar nga mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda dhe krizat e shumëllojshme.

Mesazhi i Anastasit, Kryepiskop i Tiranës Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Pashkë 2024

Mposhtja e hidhërimeve me fuqinë e Ngjalljes

Ηimni ngjallësor: “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli...”, ende kumbon ngadhënjyes dhe ngushëllues në mes të errësirës së melankolisë, të shkaktuar nga ngjarjet e dhimbshme në Ukrainë, Gazë, Sudan, Haiti dhe në vende të tjera të botës, madje edhe këtu, në mjedisin tonë, të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme. Besimi i krishterë na fuqizon me një siguri të plotë. Ne e dimë se jemi të brishtë, që e mbajmë “këtë thesar (të besimit) në enë prej balte” (2 Kor. 4:7-8), por kjo ndodh “që të dalë në pah se kjo fuqi tejet e madhe vjen nga Perëndia, jo nga ne”.  

Periudha e Pashkës, me një mënyrë të veçantë dhe përmes një përjetimi personal, na fton t’i afrohemi Krishtit, që pëson dhe ngjallet: “Që ta njoh atë dhe fuqinë e Ngjalljes së tij, të marr pjesë në pësimet e tij dhe të bëhem i ngjashëm me të në vdekjen e tij” (Fil. 3:10). Dy të vërteta na e ndriçojnë udhën drejt një marrëdhënieje më të ngushtë me atë që pësoi dhe u ngjall: Pranimi për të marrë pjesë në pësimet e Tij dhe të qenit i ngjashëm me të në vdekjen e Tij. E kemi theksuar edhe herë tjetër se Ngjallja nuk është diçka që vjen më vete, që vjen pas Kryqit, por gjendet brenda Kryqit, brenda pësimit, kur e pranojmë atë ashtu siç e pranoi edhe Krishti. Dhe anasjelltas, përjetimi i Ngjalljes kërkon gjithnjë si kusht paraprak të bëhemi të ngjashëm me Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur.

Kjo pjesëmarrje në Pësimet dhe Ngjalljen e Tij forcon qëndresën tonë, në mënyrë që të mos na përpijë depresioni dhe dëshpërimi. Himni triumfal themelor, që kumbon fort brenda nesh – “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli...” - është shpallja kryesore e besimit të krishterë orthodhoks dhe përmbledh domethënien më të thellë të Mishërimit të Birit dhe Fjalës së Perëndisë. Këtë përvojë të dyfishtë, të Kryqit dhe të Ngjalljes, e përjetojnë dëshmorët e Kishës sonë ndër shekuj. Edhe ne “le të ecim me durim në betejën që na pret, duke soditur Jisuin, që është kreu i besimit tonë dhe ai që e bën atë të përsosur” (Heb. 12: 1-2).

Duke lavdëruar me mirënjohje Perëndinë Triadik gjatë periudhës paskale, le ta shtojmë përpjekjen tonë, në mënyrë që ta përjetojmë këtë bindje dhe le të përçojmë ngushëllim në mjedisin tonë me dhembshuri.

Krishti u Ngjall, vëllezërit e mi!

Pashkë të bekuara, me shëndet, durim dhe mendësi kryqngjallësore!

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy