Shqipëria i ka dhënë mbështetje Pekinit për politikën e “Një Kinë”, në të cilën refuzohet pavarësia e Tajvanit dhe ishulli me 23 milionë konsiderohet pjesë e Republikës Popullore. Qëndrimi i mbajtur nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, në takimet me ministrin e jashtëm kinez, Wang Yi, nuk është pasqyruar në faqet zyrtare të institucioneve shqiptare. Por janë burimet zyrtare kineze të cilat i kanë dhënë hapësirë pozicionimit të Tiranës.
Konkretisht, në faqen e Ambasadës së Kinës në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Edi Rama citohet të jetë shprehur në takimin me ministrin e jashtëm kinez:
“Shqipëria respekton Kinën, admiron arritjet zhvillimore të Kinës dhe vlerëson rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Kinës në çështjet ndërkombëtare. Shqipëria do t'i përmbahet me vendosmëri politikës së një Kine dhe do të kërkojë forcimin e bashkëpunimit me Kinën në të gjitha fushat, duke dhënë gjallëri marrëdhënieve Shqipëri-Kinë.”
Qëndrim i njëjtë është mbajtur edhe nga ministrja Xhaçka, për të cilën raporton “People's Daily”, media zyrtare e Partisë Komuniste Kineze.
Pozicioni i Tiranës ndaj politikës “Një Kinë” vjen pak ditë pasi presidenti kinez, Xi Jinping, u zotua për bashkimin e Tajvanit me Kinën, deklaratë që nxiti reagimin e ashpër të presidentit amerikan, Joe Biden, i cili theksoi se Uashingtoni do t’i dalë në mbrojtje Tajvanit në rast të një sulmi.
Ndërkaq, si pala shqiptare dhe ajo kineze nuk raportojnë zyrtarisht që në takimet në Tiranë të ministrit Wang Yi të jetë diskutuar pavarësia e Kosovës dhe bllokimi që Kina i bën Prishtinës për anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare.



